Formacioni i Prishtinës, i fundit që luajti në Prishtinë në ish Jugosllavi dhe shkatërroi beogradasit!

Futboll

Formacioni i Prishtinës, i fundit që luajti në Prishtinë në ish Jugosllavi dhe shkatërroi beogradasit!

Nga: Kemajl Goca Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 11:19
KF Prishtina e vitit 1991, në këmbë: Avni Stublla, Bozhidar Vuksanoviqi, Fehmi Hyseni, Arbnor Morina, Muhamed Kolenoviqi. Ulur: Mensur Nexhipi, Synaj Keçi, Adil Vokrri, Arbër Hasangjekaj, Mentor Bardhi dhe Harun Isa.

Ndeshja e fundit e Prishtinës në stadiumin e kryeqytetit në Ligën e dytë Unike (Liga e Parë B) në ish Jugosllavi! Në stadiumin e qytetit në Prishtinë në qershorin e vitit 1991, Prishtina si vendas e shkatërroi me rezultat 3:1 Radniçkin e Beogradit (java e 35-të)! Realizatorë: Avdullah Rafuna (7'), Mensur Nexhipi (50') e Mentor Bardhi (82') – Filipoviq (23’).

Siç shkruante atëkohë në gazetën Bujku, me këtë fitore Prishtina përfundimisht kishte siguruar ekzistencën. Kjo ishte ndeshja e fundit para shikuesve të saj në stadiumin e Prishtinës, ndërsa pas kësaj sfide luajti edhe dy të tjera por në udhëtim, së pari në Zagreb ku humbi me 3:1 nga Zagrebi (java e fundit e 36-të) dhe ishte një atmosferë drithëruese, për faktin se Zagrebi u promovua si anëtar i elitës ish jugosllave, por që nuk morën pjesë në edicionin e ri 1991-92, pasi që klubet kroate së bashku me Prishtinën i thanë jo garave me serbosllavët.

Image

Gazeta Bujku 1991

Dhe ndeshja e fundit e Prishtinës në ish Jugosllavi ka qenë në Shkup, kur fituan me rezultat 2:1 kundër Ballkan Stokokomerc (java e parë e edicionit 1991-92) falë golave të përforcimit të ri Ergin Ajdinoviq. Dy ndeshje tjera Prishtina nuk i luajti, në Prijedor dhe pastaj nuk e priti Mogrenin, u thonë lamtumirë garave me serbosllavët.    Ajet Shoshollit ka qenë kryetrajner atëkohë.

Prishtina-Radniçki 3:1

Stadiumi i Qytetit Prishtinë.

Shikues: 500.

Refer: Radosav Rabrenoviqi (Novi Sad)

Realizatorë: Rafuna (7'), Nexhipi (50') e Bardhi (82') – Filipoviq (23’).

Prishtina: Bozhidar Vuksanoviq, Goran Gjoroviqi, Avni Stublla, Eroll Salihu, Arbnor Morina, Muhamed Kolenoviq, Mensur Nexhipi, Avdullah Rafuna, Adil Vokrri (Mentor Bardhi), Sunaj Keçi dhe Sllavisha Zdravkoviq (Osman Ramadani).

Radniçki: Simeunoviq (Lijiç), Filipoviq, Gjuriq, Isailoviq, Makarin, Iliq, Volkoviq, Aleksiq (Milojeviqi), Koshutiq, Loviq dhe Suruçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat