Rezultate të shkëlqyera, Solskjaer do të konfirmohet në stolin e Manchester United

Futboll

Rezultate të shkëlqyera, Solskjaer do të konfirmohet në stolin e Manchester United

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 14:25
Ole Gunnar Solskjaer

Ole Gunnar Solskjaer do të konfirmohet në stolin e Manchester United. 10 fitore në 11 ndeshjet e fundit që “Djajtë e Kuq” kanë arritur me norvegjezin në pankinë, kanë bindur bordin drejtues të kësaj skuadre për ta caktuar atë trajner me kohë të plotë.

Sipas medias britanike, tashmë vendimi në klub është marrë, por zyrtarizimi pritet të bëhet në fund të sezonit. Manchester United prej kohësh ishte vënë në kërkim të pasuesit të Jose Mourinho, i cili u shkarkua nga drejtimi i skuadrës angleze në fund të vitit 2018. Por, mesa duket, kërkimet do të ndërpriten, pasi drejtuesit e Manchester United e gjetën atë dhe është pikërisht Solskjaer.

Gjithnjë sipas medias britanike, një prej pronarëve të Manchester United, Avram Glazer udhëtoi nga SHBA në Angli për të ndjekur ndeshjen mes “Djajve të Kuq” e Fulhamit, e fituar nga skuadra e Solskjaer 3-0, duke biseduar me trajnerin në përfundimin e saj.

Ky lajm do të thotë se bie përfundimisht kandidatura e Mauricio Pochettino si trajner i Manchester United për sezonin e ardhshëm. Në sezonin aktual, Manchester United tani e sheh veten në vendin e katërt, në zonën e Ligës së Kampioneve, 9 pikë prapa Tottenhamit dhe 14 prapa Manchester City e Liverpool.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat