Emocionet e Championsit

Futboll

Emocionet e Championsit

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 10:25
Emocionet e Championsit

Pas plot dy muaj pritjeje, sonte do të rikthehen emocionet e Ligës së Kampionëve, me vëmendje të veçantë në “Old Trafford”, ku do të ndeshen ndërmjet vete Manchester United dhe Paris Saint-Germain.

Ndërkohë interesante pritet të jetë edhe përballja tjetër, ndërmjet Romës dhe Portos.

Manchester United dhe Paris Saint-German do të përballen në kryendeshjen e ditës së martë në Champions League. Në “Old Trafford” klubi anglez dhe ai francez do të zhvillojnë ndeshjen e parë të së tetës së finales së kompeticionit më prestigjioz evropian për klube.

“Djajtë e Kuq” janë duke kaluar në një formë fantastike në krye me trajnerin e ri Ole Gunnar Solskjaer, i cili ende nuk njeh humbje, derisa ka fituar 10 takime dhe ka barazuar 1 në të gjitha garat.

Gjiganti anglez do të mundohet ta vazhdojë formën e mirë edhe në Champions, pavarësisht se nuk e pret një përballje fare e lehtë ndaj parisienëve, që prej kohësh e kanë shprehur qartë se synimi i tyre është triumfi në Champions.

Trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel në konferencën për shtyp para ndeshjes tha se Manchester Unitedi është një skuadër që shënon shumë, andaj do të jetë një sfidë e madhe për ekipin e tij në “Old Trafford”.

Ai po ashtu e lavdëroi Pogban, duke e quajtur “lojtar kyç, dhe të rrezikshëm në fushë”.

Ekipi i Tuchelit do të jetë pa yllin kryesor të ekipit Neymar, derisa pritet të mungojnë edhe Thomas Meunier dhe sulmuesi Edinson Cavani, i cili pësoi në lëndim në fundjavën që lamë pas.

Ndërkohë, te anglezët pritet të mungojnë Marcos Rojo, Matteo Darmian dhe Antonio Valencia.

Trajneri i “Djajve të Kuq” Solskjaer pret një ndeshje të madhe sonte, derisa ka thënë se parisienët duhet të frikësohen nga Marcus Rashfordi, ashtu siç ekipi i tij frikësohet nga Kylian Mbappe.

“Do të jetë një natë fantastike nën reflektorë, tifozët do të jetë të ekzaltuar dhe do të jetë një përvojë e re për PSG-në gjithashtu. Ata kanë qenë në Angli, por nuk kanë qenë në ‘Old Trafford’, apo jo? Jam i sigurt se PSG-ja do të frikësohet nga Marcus Rashfordi, ashtu siç frikësohemi ne ndaj Kylian Mbappes. Ata të dy janë lojtarë fantastikë që mund të shkëlqejnë në futboll për 10 vjetët e ardhshme”, deklaroi Solskjaer.

“Edhe pa Neymarin PSG-ja ka disa lojtarë të mëdhenj, por tani unë kam pasur 11 ndeshje për t’u përgatitur për ata. Unë mendoj se e di se për çfarë janë në gjendje lojtarët e mi. Kjo ndeshje do të nxjerrë më të mirën nga ta”, shtoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat