Pogba, De Ligt dhe James Rodriguez? Paratici sqaron merkaton e Juventusit

Futboll

Pogba, De Ligt dhe James Rodriguez? Paratici sqaron merkaton e Juventusit

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 17:12
Fabio Paratici

Drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, thotë se kthimi i mesfushorit të Manchester United, Paul Pogba, te kampionët e Serie A është "shumë e vështirë për t’u parashikuar”.

Ylli i Francës është përfolur vazhdimisht për kthim në stadiumin “Allianz”, që nga largimi drejt “Old Trafford” në vitin 2016 për 101 milionë euro.

Në të vërtetë, rikthimi i Pogba në Itali u duk i pashmangshëm në fillim të këtij sezoni, mes një serie mosmarrëveshjesh e përplasjesh publike me Jose Mourinhon. Megjithatë, shkarkimi i trajnerit portugez dhe emërimi i Ole Gunnar Solskjaer kanë qenë katalizatori i kthimit të 25-vjeçarit në formë. Mediat tashmë raportojnë se ai dëshiron të nënshkruajë një kontratë të re me “Djajtë e Kuq”. 

Për pasojë, hierarkia drejtuese e Juventusit duket se i ka braktisur planet për ta kthyer Pogba në Torino. Paratici i tha “Gazzetta dello Sport”: A do të kthehet Pogba te Juventusi? Në futboll, ti nuk e di çfarë do të ndodhë, por mendoj se është shumë e vështirë".

Në qendër të vëmendjes së Juventusit, me heqjen dorë nga Pogba, është James Rodriguez, i cili pritet të largohet nga Bayern Munich, ku është aktualisht i huazuar. Klubi që posedon kartonin e kolumbianit, Real Madridi, ka të ngjarë ta largojë atë, por Juventusi nuk duket i gatshëm të bëjë një ofertë konkrete: 

"Ai është sigurisht një lojtar i madh, duhet ta shohim situatën, - tha Paratici për 27-vjeçarin. - Përmirësimi i një skuadre si e jona nuk është e lehtë. Për të përmirësuar një repart ku luajnë Paulo Dybala, Douglas Costa, Juan Cuadrado dhe Federico Bernardeschi është me të vërtetë e vështirë”.

Juventusi, gjithashtu, mendohet të jetë më i interesuari për të nënshkruar me Matthijs de Ligt, mbrojtësin e Ajax, këtë verë, pavarësisht nga interesimi i Manchester City dhe Barcelonës. Në këtë pikë, Paratici shtoi: "De Ligt është sigurisht një nga lojtarët më të mirë të rinj dhe po e ndjekim me vëmendje të madhe".

Një tjetër i ri, Dominik Szoboszlai i RB Salzburg, është objektiv, por Juventusi tashmë ka ambicie për ta huazuar, nëse firmos me të: "Një djalë i talentuar, por ne do të duhet të gjejmë një ekip të Serie A, ku ta huazonim e të luante shumë ndeshje".

Në fund, një kuriozitet nga Paratici në lidhje me blerjen e Ronaldos: "Ne dëshironim të blinim Icardin, menduam të krijonim një stuhi në skuadër dhe të dobësonim edhe më shumë një rival direkt. Ose Icardi, ose Cristiano, thamë. Erdhi Cristiano".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat