Kampioni i botës: Sarri po kalon momente të errëta, do ta pësojë si Mourinho

Futboll

Kampioni i botës: Sarri po kalon momente të errëta, do ta pësojë si Mourinho

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 06:23
Sarri dhe Mourinho

Makthi që po përjeton Maurizio Sarri në drejtimin e Chelsea është e ngjashme me periudhën katastrofale të Jose Mourinhos në “Stamford Bridge”, sipas ish-mesfushorit, Emmanuel Petit. Blutë e Londrës nuk kanë shënuar ende larg shtëpie për vitin 2019, ndërsa tri humbje në katër ndeshjet e radhës në Premier League kanë bërë që ata të mos jenë në katër të parët.

Duke pasur parasysh tendencën e Roman Abramovich për të lëvizur shpejt në rastin e trajnerëve, pozicioni i Sarrit është në pikëpyetje. Mourinho ishte dy herë “viktimë” e padurimit të miliarderit rus. Ndëshkimi i tij i dytë erdhi pasi Chelsea humbi 9 nga 16 ndeshjet e para të sezonit 2015-2016. 

"Unë e kuptoj se një trajner duhet t'iu përmbahet pikëpamjeve dhe mendimeve të tij, madje ndonjëherë duhet të dalë edhe kundër mendimit të lojtarëve, sepse ndoshta ka të drejtë. Sidoqoftë, jam i sigurt se Sarri është shumë nervoz, - tha Petit. - Gjuha e tij e trupit në një konferencë shtypi të kohëve të fundit e tregonte këtë, siç bëri atë gjest të pahijshëm me Guardiolën, të dielën. Gjëra si këto nuk duhet të ndodhin, sepse nuk mund të dalësh kundër të gjithëve: tifozë, gazetarë, lojtarë. Situata e tij më kujton periudhën e errët nën drejtimin e Jose Mourinho".

Taktikat strikte të Sarrit dhe vendimi për ta lëvizur N'Golo Kante në një pozicion më ofensiv janë ndër karakteristikat kryesore të drejtimit të tij në Londër. Italiani ka refuzuar të përshtatet me atë që kërkojnë lojtarët dhe kjo kokëfortësi mund të jetë zhbllokimi i tij, sipas Petit: "Sarri tha se është një njeri i fortë, se ka një vizion për ekipin dhe do t'i injorojë kritikët, veçanërisht në lidhje me Jorginho dhe N'Golo Kanté, - shtoi fituesi i Kupës së Botës me Francën. 

- Trajneri ngulmoi se do t'iu qëndrojë ideve të tij. E kuptoj dhe e vlerësoj këtë, edhe e respektoj, por mendoj se ka harruar diçka shumë të rëndësishme: ai nuk duhet të bindë shtypin dhe tifozët, por lojtarët. A duhet të shkarkohet Sarri tani? Kur Roman Abramovich e ndjen presionin, si në këtë rast, ai nuk udhëhiqet nga ndjenjat, por e ul çepenin. Ai e bëri këtë me Jose Mourinho dhe Antonio Conte, pasi fitoi Premier League, kështu që nuk do të ketë emocione për të bërë të njëjtën gjë me Sarrin. Nëse rezultati i ndeshjes së ardhshme do të jetë negativ, ky mund të jetë fundi i tij te Chelsea".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat