Pas një karriere të suksesshme në fushën e gjelbër, ka kohë që mesfushori Shpëtim Fetahu dhe sulmuesi i njohur Emin Baliqi, i janë rrekur punës me kategori të reja, duke punuar me entuziazëm me të rinjtë në bartjen e dijeve elementare në futboll në Shkollën e Futbollit “Lushta në Mitrovicë”.
Ata krahas punës së palodhshme me futbollistë të rinj dhe talent të ardhshëm në këtë shkollë, nuk kanë lënë prapa as ngritjen e tyre profesionale dhe pajisjen me njohuritë e nevojshme me qëllim arritjen e përvojës në drejtimin e skuadrave futbollistike.
Kështu brenda periudhës 5 javore ata kanë qenë pjesë e kursit të organizuar nga Federata e Futbollit të Shqipërisë për trajner të licencuar me licencën B, ku nën përkujdesjen e ekspertit të UEFA-së Astrit Maçi drejtor për licencim dhe ligjërues Tek-Tak , Iris Selimi përgatitje fizike , Profit Canaj ekspert i Mjekësisë Sportive, Fredi Canaj psikolog sporti, Alban Tafaj Kart Federale dhe Sokol Jareci ligjërues për rregullat e lojës, kanë përfunduar me sukses trajnim dhe kanë merituar thirrjen trajner me licencë B.
Të dy futbollistët janë shprehur shumë të kënaqur me atë që kanë mësuar gjatë ligjëratave të ekspertëve të certifikuar , me mënyrën e shtrimit të përgatitjeve, lojës dhe ekipit deri tek rregullta përgatitja fizike e psikologjike dhe taktika e lojës.
“ Në këtë kurs-trajnimi mësuam njohuri të reja të cilat do të na shërbejnë shumë në të ardhmen në implementimin me stërvitjet me fëmijë, ku jemi duke punuar, por edhe me të rriturit në një kohë të ardhme” ka thënë mesfushori i njohur mitrovicas Shpëtim Fetahu.
Ndërkohë sulmuesi i njohur Emin Baliqi ka theksuar se “ përkundër faktit se për shumë vite kemi qenë futbollistë aktiv, në kurs kemi mësuar shumë gjëra të reja të dobishme në punën përgatitore të ekipit të cilat do fillojmë të i aplikojmë në grupmoshat me të cilat po punojmë”.
Edhe Baliqi edhe Fetahu janë mirënjohës edhe falënderues ekipit të ligjëruesve për punën e palodhshme dhe sqarimet në detaje të materies së kursit tepër të dobishme për ne si trajnerë të rinj në rrugën e ngritjes profesionale drejt njohurive të reja.
Përndryshe ata që përcjellin futbollin e dinë se Shpëtimi dhe Emin janë të pandashëm, që nga vegjëlia, pasi ajnë rritur në të njëjtën lagje dhe janë së bashku që nga mosha 6 vjeçare, shkollën fillore dhe të mesme dhe hapat e parë i kanë bërë së bashku në skuadrën “Minatori ’89.
Kanë luajtur së bashku më pas edhe tek Trepça ‘89 dhe ndonëse kohë pas kohe kanë luajtur në skuadra të ndryshme, ata si miq të sinqertë kanë mbyllur së bashku karrierën aktive tek KF Trepça.
Aktualisht Shpëtim Fetahu dhe Emin Baliqi janë duke punuar po ashtu së bashku si trajner të kategorive të reja në Shkollën e Futbollit “Lushta” në Mitrovicë.
Ata vazhdojnë të jenë së bashku jo vetëm në stolin drejtues të grupmoshave por edhe në qytet edhe në jetën jashtë sportit.