Statistika që flasin për një ringjallje të Tiranës

Futboll

Statistika që flasin për një ringjallje të Tiranës

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 14:58
Statistika që flasin për një ringjallje të Tiranës

Padiskutim që 2019-ta ka nisur në mënyrën e duhur për Tiranën me bardheblutë që për herë të parë këtë edicion e çuan në 4 numrin e sfidave radhazi pa humbje. Një ecuri të tillë kryeqytetasit nuk e njihnin nga periudha tetor-dhjetor e vitit 2016-të që falë 3 barazimeve dhe dy fitoreve regjistronin një ecuri me 5 ndeshje pa humbje. Statistika që flasin për një ringjallje të Tiranës dhe kjo për meritë të padiskutueshme të trajnerit Ardian Mema. Sinjalet e përmirësimit u dhanë që në javët e para, me skuadrën që mbetej agresive në sulm dhe shumë e brishtë në mbrojtje. Nga java në javë reparti i prapavijës nuk jepte siguri por me shumë durim trajneri Mema arriti të përmirësojë edhe thembrën e akilit të bardhebluve që në 5 ndeshjet e këtij viti kalendarik ka pësuar vetëm një humbje që nuk peshoi në sfidën e kthimit të 1/8 të finaleve të Kupës së Shqipërisë ndaj Flamurtarit.

Në 450 minuta Tirana ka pësuar vetëm 3 gola, duke përmirësuar ndjeshëm vigjilencën në mbrojtje. Mema priste nga merkato afrime por duke vendosur veton për lojtarë cilësorë që bëjnë diferencën, kërkesë që në fund mbeti e paplotësuar. Timonieri bardhebluve ka këmbëngulur tek lojtarët që ka në dispozicion duke punuar me përkushtim për të përmirësuar ata dhe frytet janë parë. Ekipi është shfaqur i balancuar, ndaj Flamurtarit në Kupë luajti për pjesën më të madhe të sfidës me një lojtar më pak, ndërkohë që ndaj Kukësit diferencat në letër janë të mëdha, me nënkampionët që kanë një skuadër me shumë cilësi. Sigurisht që Tirana nuk ka arritur asnjë objektiv deri më tani, por loja e shfaqur në fushë si dhe konsolidimi i mbrojtjes janë një meritë absolute e trajnerit Ardian Mema, që tashmë duhet të ruajë grupin nga euforia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat