Federata lë pa stadium dy nga klubet më të vjetra të historisë shqiptare

Futboll

Federata lë pa stadium dy nga klubet më të vjetra të historisë shqiptare

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 13:07
Vllaznia

Vllaznia këtë vit ka 100-vjetorin, por ne nuk kemi një stadium tonin dhe as klub e as zyra. Pra, jemi klub vetëm në letra”, ishte kjo deklarata e dhënë nga Engin Firat në “Procesin Sportiv” që ngre alarmin për futbollin shqiptar.

Denoncimi i bërë prej drejtorit sportiv nuk mund të kalojë assesi pa u vënë re dhe pa shqetësim, e sidomos prej njerëzve që e duan vërtet këtë sport dhe mirëpresin progresin. Turku nxjerr zbuluar një paradoks të madh dhe një shpikje tipike shqiptare me stadiumet tona.

Dhe në këtë mes nuk është vetëm Vllaznia që po vuan, por edhe Elbasani. Dy klube me traditë nuk mund të luajnë dot në stadiumet e qytetit. Edhe pse janë ndërtuar dy impiante realisht moderne në këto qytete, ekipeve nuk u jepet mundësia që të zhvillojnë ndeshjet e tyre në këto fusha.

FSHF-ja ndoshta me të drejtë mund të thotë që klubet nuk i mbajnë dot këto stadiume, ndaj edhe ka zgjedhur që t’i vetëmenaxhojë dhe rrjedhimisht është shndërruar në pronare. Por natyrshëm lindin pyetjet: Për çfarë ndërtohen kur klubet tona nuk kanë asnjë të drejtë mbi këto impiante?

A është kjo mënyra e duhur për të menaxhuar një stadium? Do ishte çudi nëse një rast të ngjashëm do ta dëgjonim në Seria A, për shembull. Do ishte alogjike që Milani apo Juventusi të mos luanin dot në stadiumet e ndërtuara nga federata italiane në Milano apo Torino. FSHF-ja nuk mund të zgjedhë këtë rrugë, duke bërë rolin e pronares dhe nxjerrë praktikisht jashtë loje dy nga klubet më të vjetra të futbollit shqiptar.

Duhet të gjendet një zgjidhje dhe menaxhimi t’u kalojë klubeve. Nëse ndjek këtë formë dhe klubet nuk kanë mundësi që të mbajnë stadiume, atëherë do të kishte që të gjitha të drejtat e Zotit që edhe t’i largojë. Është vërtet skandaloze dhe e papranueshme të thuash se Vllaznia dhe Elbasani nuk kanë stadiume. Ndonëse dy impiantet më të mira që janë ndërtuar në vendin tonë janë pikërisht në këto dy qytete.

Nëse nuk kanë “takat” që t’i mbajnë, atëherë mjafton që federata të mos i licencojë. Me këtë logjikë që po ndiqet, klubet shqiptare dhe tifozët duhet që realisht të shqetësohen kur shohin ndonjë iniciativë të FSHF-së për të ndërtuar një stadium në një qytet të caktuar. Pasi praktikisht nuk do ta kenë më të tyren dhe më pas duhet të gjejnë ndonjë fushë për të luajtur, sikundër ka ndodhur rëndom… Vllaznia është zhvendosur në “Reshit Rusi” dhe Elbasani në “Shefqet Lamçja”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat