Nga Moska në Madrid, nga Spanja te Real Madridi

Futboll

Nga Moska në Madrid, nga Spanja te Real Madridi

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 13:22
Julen Lopetegui

Julen Lopetegui iu rikthye momenteve të tij te Real Madridi dhe çfarë ndodhi me të në kombëtaren spanjolle. Rrëfimin e bëri për mikrofonin e BBC. Ish-trajneri i bardhë siguron se, pavarësisht të gjithë atyre që ka përjetuar, "kurrë nuk do të thotë një fjalë të keqe në lidhje me Real Madridin". 

Lopetegui tregon se sa keq e ka ndier veten, kur u shkarkua si trajner i “La Roja”, një ditë para nisjes së Botërorit të Rusisë, verën e kaluar: "Kjo ishte një kohë shumë e vështirë dhe nuk do të harroj kurrë, sepse ishte një surprizë. Ndjeva se ishte një shkarkim shumë i padrejtë. I trishtueshëm ishte edhe “fluturimi” prej pesë orësh për në shtëpi, nga Moska në Madrid. Nuk kam thënë asgjë, por kjo është jeta. Kjo ishte një përvojë shumë e vështirë.

Nuk ishte e lehtë për mua. Ne kishim punuar shumë për dy vite, ndieja se ishim gati për një Kupë Bote fantastike. Dy muaj më parë, kur nënshkrova kontratë të re me Spanjën, drejtuesit vendosën një klauzolë largimi. Ishte ideja e Luis Rubiales. Unë nuk pajtohesha me të, por nuk e pata problem. Dhe pastaj erdhi oferta e Real Madridit.

Koha nuk u zgjodh nga unë, apo Real Madridi. Thashë “po”, por e dija që Kupa e Botës ishte përgjegjësia ime e vetme e atij momenti. Mbajtja sekret e nënshkrimit me Real Madridin për një muaj ishte e pamundur. Pastaj, nuk m’u duk diçka e ndershme. Isha i bindur se duhej mbajtur një konferencë shtypi, për ta hapur dhe mbyllur aty çështjen. Pas kësaj, fokusi i vetëm do të ishte Kampionati Botëror.

Lojtarët u treguan fantastikë, pasi ua dhashë lajmin e nënshkrimit tim me Real Madridin. Atë ditë kemi pasur seancën më të mirë të trajnimit në tri javët e përgatitjes sonë, kështu që ishim të gjithë shumë të lumtur. Sidoqoftë, në fund, presidenti mori atë vendim".

Ai pohon se ndryshimi i papritur e la edhe pa gjumë: "Unë nuk flija, nuk e dija se ku isha. Një ditë isha në Rusi, në trajnim për Kupën e Botës, të nesërmen përfundova në “Santiago Bernabeu” me një skuadër të re. 

Ishte një ndryshim shumë i shpejtë, i vështirë për t’u përballuar. Emocionet ishin të mëdha. Ishte e vështirë të largohesha nga Kampionati Botëror, sepse bëhej fjalë për një ëndërr, për të cilën punova kaq shumë dhe me gjithë shpirt. Prandaj, kësi emocionesh ndonjëherë nuk mund t’i kontrollosh". 

Megjithëse nuk nxjerr asnjë fjalë të keqe nga goja për kohën e kaluar me “Los Blancos”, Lopetegui ankohet për shkarkimin e tij të shpejtë: "Me Realin e filluam mbarë, skuadra po luante mirë, por pastaj patëm tri javë shumë të këqija. Kisha nevojë për kohë, që të gjeja zgjidhje për situatën, sepse këto gjëra mund të ndodhin gjatë një sezoni. Ne ishim të sigurt se kjo situatë do të kalonte.

Nuk pata kohë, kjo është mënyra më e mirë se si mund ta shpjegoj largimin. Unë nuk do të thoja kurrë një fjalë të keqe për Real Madridin. Drejtimi i këtij klubi është një përvojë fantastike për çdo trajner. Shpresoja të kisha më shumë kohë, por duhet të shikoj përpara, nga e ardhmja".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat