Duro tregon çfarë nuk shkoi mirë për të te Drita

Futboll

Duro tregon çfarë nuk shkoi mirë për të te Drita

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 10:39
Duro tregon çfarë nuk shkoi mirë për të te Drita

Shpëtim Duro, i cili ishte trajner i Dritës për vetëm pesë muaj, ka treguar në intervistën e fundit çfarë nuk shkoi si duhet për të te skuadra nga Superliga.

Në një rrëfim për “Panoramën”, Duro ka treguar se ndryshimet brenda skuadrës dhe pozita ku e gjeti atë, kanë ndikuar që aventura e tij në “Anamoravë” të ishte më e shkurtër se që pritej, transmeton Insporti.

“Që në takimin e parë në Tiranë me drejtuesit e Dritës, ata e dinin shumë mirë që unë kam qenë në dyshim për të pranuar këtë aventurë,” është shprehur Duro.

“Natyrisht, bëhet fjalë për një skuadër kampione në fuqi dhe për mua ishte vlerësim, por njëkohësisht situata ishte shumë e vështirë pas një fillimsezoni me 5 humbje radhazi.

“Fakti se ishte shpallur kampion dhe pritshmëritë në opinion ishin të mëdha, e bënte edhe më të vështirë punën, për më tepër që kishte pasur edhe ndryshime të rëndësishme në skuadër.

“Ishte larguar Kastriot Rexha, sulmuesi kryesor në sezonin që fituan titullin. Përtej dyshimeve që kisha, e pranova ofertën, por që në ditën e parë nuk i garantova se mund të fitonim sërish titullin, në një kohë që e mora skuadrën në vendin e parafundit.”

E nisët me një fitore ndaj Prishtinës së Josës…

“Në fakt bëmë 5-6 fitore radhazi dhe duke parë kalendarin mendoja se do të afrohesha shumë me kryesuesit e Prishtinës dhe Feronikelit, por fati i keq i yni ishte se rivalët nuk po linin pikë.

“Në këto kushte, mbeti e njëjta distancë dhe një gabim të nxjerr direkt nga loja. Ishte si situata e tanishme e Partizanit me Kukësin. Në fillim kur shkova isha i qartë se duhej të fokusoheshim te Kupa. Duke qenë se vetëm fituesi i titullit dhe Kupës kualifikohet në Europë, rruga më e mirë ishte nga Kupa.”

Dorëheqja erdhi menjëherë pas eliminimit nga Kupa…?

“Keqardhja më e madhe është se pas përgatitjeve të mira që bëmë në janar, u eliminuam nga Vëllaznimi. Sistemi i Kupës në Kosovë është me një ndeshje dhe ndodhi ajo që ndodhi.

“U mendova mirë dhe mora një vendim të arsyeshëm dhe profesional. U thashë drejtuesve se pasi dolëm nga objektivat unë do të sakrifikoj veten time, në mënyrë që të krijohet një lloj qetësie në klub.

“Nuk u nisa aspak nga interesi, pasi kisha edhe tre muaj kontratë. Puna e trajnerit është që ta zgjedhësh ekipin në momentin e duhur. Ndryshe do të ishte nëse e merrja që nga fillimi dhe e ndërtoja vetë.”

Çfarë ka më mirë dhe më keq në këtë moment Kosova në krahasim me Shqipërinë?

“Shqipëria është më e avancuar në aspektin e infrastrukturës. Në Kosovë e vuajnë shumë këtë, pavarësisht se kushtet e stërvitjes janë thuajse njësoj, pasi shumica e ekipeve stërviten në fushë me bar sintetik. Kosova është në hapat e parë dhe ka filluar me investimet në stadiume.”

“Skuadrat në Superiore janë më solide, sepse kanë lojtarë me eksperiencë që kanë luajtur edhe në Europë, ashtu siç mund të themi edhe për trajnerët. Kam respekt për trajnerët e Kosovës, sepse kanë punuar në kushte shumë të vështira.”

Ka pasur ndonjë situatë ku jeni ndierë keq?

“Jo, asnjëherë. Jam ndierë i respektuar kudo që kam shkuar. Edhe me lojtarët nuk kam pasur asnjëherë probleme.”

Nëse Drita e Gjilanit do të luante në Kategorinë Superiore deri ku mund të shkonte?

“Me grupin që bëmë tani në janar, nëse do të luanim në Superiore, me siguri që do të luftonim për Evropë.”

U përfol se klubi i Dritës pati bisedime me Jahmir Hykën?

“Presidenti i Dritës e ka mik Hykën dhe ka pasur kontakte, por unë nuk e besoja kurrë se ai do të vinte, pasi është në kulmin e karrierës dhe siç e pamë bëri një kontratë të mirë në Izrael.

“Ku ta gjeja të kisha Hykën në ekip, por nuk ishte momenti, sepse kostoja është shumë e madhe dhe nuk mund të rriskohej në mes të kampionatit. Ne u dogjëm për një ndeshje në Kupë, kështu që nuk ia vlente të sakrifikohej".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat