Piatek shkëlqen te Milani, por Genoa po rrit një tjetër bomber

Futboll

Piatek shkëlqen te Milani, por Genoa po rrit një tjetër bomber

Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 18:41
Antonio Sanabria

Krzysztof Piatek padyshim që është sensacioni i janari, jo vetëm me kalimin e tij nga Genoa te Milan, por edhe me paraqitjet në fushë. Aktualisht numëron 6 gola në 5 ndeshje me kuqezinjtë, ndërsa në total ka shënuar 17 gola këtë sezon në Serie A.

Ndërkohë Genoa për të zëvendësuar beniaminin e tyre që e shitën për 35 milionë euro, afruan në skuadër Antonio Sanabria. Sulmuesi është marrë në formë huazimi nga Real Betis në Spanjë. Paraguaianit iu deshën vetëm 23 minuta për të debutuar me gol në Serie A.

Ishte pikërisht transferta ndaj Empolit ku ai la gjurmën e tij të parë me fanellën e Genoas. Sanabria nuk u ndal as në sfidën ndaj Sassuolo teksa shënoi golin e barazimit për skuadrën e tij dhe të dytin në dy ndeshje. 

22-vjeçari u ndal në sfidën ndaj Bologna, por u rikthye në një ndeshje tepër të fortë. Në përballjen e sotme ndaj Lazio, teksa miqtë ishin duke fituar me një gol të Badlj, Sanabria i ndihmuar edhe nga fati barazoi shifrat për t’i hapur rrugë golit të fitores që u shënua nga Crisito.

Në total janë 3 gola në 4 ndeshje për sulmuesin e talentuar, por ka ende kohë për t’u konfirmuar. Gjithsesi te Genoa po fërkojnë duart me shpresën se kanë realizuar edhe një tjetër goditje “alla Piatek”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat