Rexha: Ta mbrojmë pozitën e liderit

Futboll

Rexha: Ta mbrojmë pozitën e liderit

Nga: Kemajl Goca Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 19:36
Kastriot Rexha

Feronikeli është lider në elitën e futbollit të Kosovës, ka dy pikë më shumë se pozita e dytë, Prishtina. Gjithçka ndryshoi në javën e 18-të, pra të hënën e 18 shkurtit, me humbjen e befasishme të Prishtinës me rezultat 2:0 nga Flamurtari dhe me fitoren 2:0 të Feronikelit nga Drenasi në Prizren ndaj Lirisë! Sulmuesi i Feronikelit, Kastriot Rexha, është krenarë me dy golat që realizoi për triumfin e skuadrës së tij, e cila tani i prinë renditjes. Rexha tha se për skuadrën e tij është e rëndësishme që janë kualifikuar në gjysmëfinalen e Digitalb Kupës së Kosovës dhe tani janë edhe lider në Superligë.

“Bota sot”:  Në dy ndeshje shënuat tri gola, një për Kupë e dy për pikë, a jeni në formën më të mirë?

Kastriot Rexha: Po, është e rëndësishme shumë kalimi në gjysmëfinale dhe edhe më e rëndësishëm është fakti që kemi kaluar në pozitën e parë. Jam i kënaqur me këtë fillim edicion si në aspektin personal edhe në at grupor të skuadrës.

“Bota sot”: Feronikeli në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, a është favoriti kryesor kur dihet se janë eliminuar Prishtina dhe Drita?

Kastriot Rexha: Është shumë i rëndësishëm kalimi në gjysmëfinale, pasi që kemi mbetur vetëm katër skuadra, mirëpo nuk duhet harruar faktin se edhe skuadrat që kanë mbetur janë shumë cilësore dhe do të jetë mjaft e vështirë, megjithatë kemi besim te skuadra.

“Bota sot”: Feronikeli me pikë të plota nga Prizreni, ku ishin pikat vendimtare të kësaj fitore?

Kastriot Rexha: Kemi punuar gjatë gjithë javës dhe kemi studiuar pikat e rëndësishme të Lirisë dhe mendoj se kemi arritur ta fitojmë ndeshjen në saje të përvojës tonë.

“Bota sot”: Feronikeli lider i ri, +2 pikë nga Prishtina, një përparësi e mirë, a iu jep motiv e qetësi?

Kastriot Rexha: Jo, nuk është qetësi, mirëpo tash duhet edhe më shumë punë dhe përkushtim që ta arrijmë ta mbrojmë pozitën e liderit.

“Bota sot”: Në fundjavë, pra të dielën sërish derbi kundër Llapit, me rivalin direkt për kreun e tabelës, fitorja do t'ju ofrojë një hap drejt titulli?

Kastriot Rexha: Edhe nëse fitojmë apo edhe nëse nuk fitojmë me Llapin nuk është që shpallemi apo nuk shpallemi kampion.

“Bota sot”: Çka e veçon Feronikelin prej Prishtinës dhe Llapin?

Kastriot Rexha: Kampionati është i gjatë dhe ka shumë sfida. Mendoj se është ndeshje shumë e rëndësishme për vazhdimësinë nëse fitojmë me Llapin. Mendoj se grupi është shumë i mirë dhe shumë më atmosferë të mirë, gjithashtu edhe komponimi i skuadrës çdo ditë e më shumë po rregullohet.

“Bota sot”: A është një kampionat më i mirë se ai paraprak dhe a e synoni edhe epitetin e shënuesit më të mirë?

Kastriot Rexha: Është i njëjtë sikur ai i vitit të kaluar por tash është edhe Llapi një kandidat shumë serioz për luftën për titull. Synimi im është trofetë me Niklin, e pastaj vijnë synimet individuale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat