Nga uria te "jokeri" Neymar, rrëfehet ylli i Premier League

Futboll

Nga uria te "jokeri" Neymar, rrëfehet ylli i Premier League

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 17:18
Neymar

Felipe Anderson, ish-ylli i Lazio-s që tani luan me West Ham, ka dhënë një intervistë interesante për BBC. Karriera e tij është e suksesshme, por ka filluar mes mijëra vështirësive. Futbollisti e ka nisur rrëfimin e tij që nga koha kur luante në Brazil dhe nuk kishte "mjaftueshëm ushqim në tavolinë". Nga problemet në fillimet e tij te buzëqeshja aktuale, duke përmendur edhe një mik të ngushtë dhe bashkëkombës, Neymar-in, të cilin e quan "joker".    

Probleme – "Ka patur momente kur nuk kishim çfarë të hanim në   shtëpi. Kur vinte fundi i muajit mund të shihja trishtimin në sytë e prindërve të mi, sepse nuk ishin në gjendje të na jepnin më të mirën. Kishin shumë borxhe dhe kishin debate në lidhje me këtë", ka thënë Anderson.  

"Gjithsesi, unë nuk e shihja paranë si një pengesë, edhe pse duhej të merrja borxh çizmet, apo gjëra të tjera, nga miqtë. Tani marr forcë nga ajo që ka qenë e kaluara ime. Më ka ndihmuar t'i mbaj këmbët në tokë dhe të mbetem i përulur. Kam dëshirë të ndihmoj të tjerët, sepse e di se ka shumë njerëz në situata të vështira, ashtu siç kam qenë  edhe unë ". 

Lavdia dhe Neymar – Pas shumë sakrificash, Anderson ka  gjetur buzëqeshjen falë futbollit. Kulmi ka qenë në 2016-ën, kur fitoi medaljen e artë në Rio me fanellën e Brazilit. Pjesë e atij ekipi ka qenë edhe Neymar, me të cilin Anderson ka krijuar një lidhje të fortë që nga kohët e Santos-it:

"Neymar është shumë argëtues. Një joker. I bën gjithmonë njerëzit të qeshin. Adhuron muzikën dhe të përfshijë njerëzit. Kështu ka qenë gjithmonë dhe nuk do të ndryshojë kurrë. Nëse jemi diku dhe nuk është atmosfera e duhur, e di se ai do të ngjitet mbi një tavolinë dhe do t'i motivojë të gjithë. Nuk rri dot pa qeshur dhe pa bërë shaka".   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat