Gattuso: Simeone? Unë jam i vetmi që mund ta kuptoj

Futboll

Gattuso: Simeone? Unë jam i vetmi që mund ta kuptoj

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 18:53
Gennaro Gattuso

4 fitore dhe 2 barazime në 6 ndeshjet e fundit kanë mjaftuar për të synuar sa më lart në klasifikim. Objektivi dihet, zënia e vendeve të para të Serie A, që “përkthehen” ndryshe në kualifikim direkt në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Pas fitores me Atalantën, Milani pret Empolin në “San Siro”, për të gjetur një tjetër sukses në shtëpi, pas atyre me Napolin në Kupën e Italisë dhe Cagliari në kampionat.

Gennaro Gattuso i parapriu sfidën me një konferencë shtypi, duke folur kryesisht për mënyrën se si mund ta ndryshojë ekipin e tij në këtë ballafaqim, duke pasur parasysh mungesën e Suso:

“Ne kemi 3 ndeshje në 8 ditë. Ky është kalendari. Do të shohim se në çfarë forme do të adaptohemi. Paqueta nganjëherë sulmon nga jashtë, ndaj mund të shkëmbehet në fushë me Calhanoglu. Marrëdhënia është e fortë me të gjithë lojtarët e mi, kërkoj raporte njerëzore. Hakan ka kaluar nëpër një kohë të vështirë.

Ne do të luajmë kundër një ekipi që ka ndryshuar. Empoli ka një trajner që i përgatit ndeshjet mirë, ka cilësi teknike dhe një fazë mbrojtëse interesante. Ndeshje të lehta nuk ekzistojnë, ndaj rritja jonë duhet të vijë nga ky lloj lojërash”.

Dy fjalë ka Gattuso edhe për gjestin e Simeone, mbrëmë kundër Juventusit, i cili ka hapur shumë diskutime: "Unë jam i vetmi, që mund ta kuptoj atë situatë, kur gjaku të vlon në kokë. Këto gjëra mund të ndodhin. Tani për tani, fatmirësisht jam shumë mirë me vetëpërmbajtjen".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat