Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Bekim Balaj ka shënuar sërish për ekipin e tij Akhmat Groznin, që po zhvillon fazën përgatitore në Turqi. Sulmuesi shkodran ka ndëshkuar skuadrën bjelloruse të Dinamos së Minskut, në fitoren 2:0. Balaj ishte autori i golit të epërsisë në minutën e 58-të të takimit miqësor. Më pas ishte Lima që gjeti rrugën për rrjetën e dytë.
Ky ishte goli i tretë për sulmuesin 28-vjeçar, në turin e miqësoreve me skuadrën e tij. Forma e mirë që po kalon lojtari, gëzon edhe Kombëtaren që sheh te Balaj një golashënues që do ndihmojë ekipin në kualifikueset e Europianit 2020.