Gashi: Besa do të rikthehet aty ku e ka vendin

Futboll

Gashi: Besa do të rikthehet aty ku e ka vendin

Nga: Kemajl Goca Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 10:32
Gashi: Besa do të rikthehet aty ku e ka vendin

Egzon Gashi beson se me Besën e Pejës do t’i realizojnë synimet, të rikthehen në elitën e futbollit të Kosovës. Futbollisti tha se skuadra pejane ka traditë dhe është i bindur se me angazhim e lojë të mirë do të janë në dy vendet e para. “Mendoj që Besa është ekip me traditë në futbollin e Kosovës dhe shpresoj edhe besoj shumë që do të rikthehet aty ku e ka vendin, në Superligë”, tha Gashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

A mendoni se futbolli po rritet në vitet e fundit, sidomos në cilësi? “Mendoj që ka ardhur koha që me reflektuar në përgjithësi sporti në Kosovë, sidomos futbolli ka nevojë që njëherë e përgjithmonë mu rregulluar statusi për sportistë. Sa i përket cilësisë mendoj që është e njëjta, nuk ka ndonjë ngritje”, përgjigjet ai.  Të jesh sportist në Kosovë nuk është edhe aq lehtë, sepse ka sporte që nuk paguhen edhe aq mirë, megjithëse futbolli qëndron shumë më mirë se shumica e sporteve të tjera. Sa është vështirë të jetohet nga sporti?

“Varet prej klubit edhe varet prej cilësive që i posedon një sportist, mendoj që ka nevojë mu ngrit edhe mu rregulluar statuset rreth sportistëve në përgjithësi”, theksoi ai. Sulmuesi nuk merret veç me futboll por edhe me çështje tjera. “Përveç futbollit e kemi edhe një biznes familjar, ku jemi të angazhuar të gjithë, pra është Parku i avanturave Ranch në Pejë”, ka thënë Gashi.

Cili ka qenë momenti më i mirë deri me tash si futbollist e më dëshpërues? “Momenti më i mirë për një futbollist gjithmonë është kur i fiton krejt titujt e mundshëm. E momenti më dëshpërues në jetë që më ka ndodhur është momenti kur kemi ra prej ligës me Vëllaznimin”, tha Gashi. Futbollisti shprehet se disa skuadra janë në garë të fortë për kreun e tabelës, duke i përmendur edhe me emra: “Mendoj që Vëllaznimi, Vushtrria, po ashtu edhe Dukagjini Klinës janë konkurrent serioz për inkuadrim në elitë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat