Krasniqi: Fitorja kundër Prishtinës një motiv shtesë për ne

Futboll

Krasniqi: Fitorja kundër Prishtinës një motiv shtesë për ne

Nga: Kemajl Goca Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 18:54
Egzon Krasniqi

Dy javët e para të stinorit pranveror janë dëshmia më e mirë se do të jetë shumë nxehtë në vazhdim të kampionatit si në luftë për titullin e kampionit po ashtu edhe për Kupën e Kosovës.

Flamurtari i Prishtinës ka nismë të fuqishme të pranverës, në dy ndeshjet e para realizoi 4 pikë. Së pari e mposhti Prishtinën me rezultat 2:0, pastaj importoi pikë nga Gjilani, duke luajtur me rezultat 0:0. ‘Flamurtarët’ aktualisht renditen në vend të tetë me 26 pikë, me synime që të përfundojnë në mesin e tabelës në elitën e futbollit. Sulmuesi i krahut te djathtë, Egzon Krasniqi, tha se janë rezultate pozitive dhe që i motivojnë edhe më shumë për takimet e radhës.

“Janë rezultate pozitive, ku kemi punuar shumë për këto rezultate dhe mendoj se do të vazhdojmë përsëri me fitore. Kemi një ekip shumë të mirë, fitorja me Prishtinën ka qenë një fitore që sigurisht nuk është pritur, sidomos ai rezultat (2:0). Kështu që, angazhimi, vullneti i lojtarëve edhe arritëm deri te triumfi.  Ndërsa loja me Gjilanin, me një kundërshtar direkt, ka qenë lojë e vështirë, ku edhe kishim shkuar për rezultat pozitiv, duke ia arritur qëllimit, kështu që është një fillim i mirë i pranverës dhe mendoj se do të vazhdojmë kështu”, tha Krasniqi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

A mendoni se Flamurtari do të jetë në mesin e tabelës dhe ku e sheh forcën e saj? “Mendoj se po, e shoh se është një ekip që mundet me qenë në mesin e tabelës për shkak se kemi punuar shumë dhe jemi përgatitur, ka lojtar me cilësi dhe që kanë luajtur në ekipe të ndryshme. Është një ekip i komponuar dhe mendoj se kemi forcë, por edhe me ndihmën e kryesisë, trajnerëve të cilët po punojnë vazhdimisht pa ndërpre”, theksoi sulmuesi. Kuqezinjtë përgatiten për takimin e fundjavës përkatësisht kundër Trepçës ’89, e cila luhet në orën 17.00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. “Besoj shumë në pikët e plota me Trepçën ’89.

Në presion nuk jemi, për shkak se dy ndeshjet e fundi kemi rezultate pozitive dhe po ashtu jemi vendas, kështu që do të luajmë si ndeshjet tjera. Besoj në 3 pikë, që do të ishin të mirëseardhura. E jona është që luajmë lojën tonë, të tregojmë angazhim maksimal dhe t’i kënaqim shikuesit tanë”, ka thënë Krasniqi. Është interesant, fakti se një numër i madh i skuadrave luftojnë për 4-5 vendet e para. Gjilani është në pozitën e katërt me 28 pikë, pasojnë Drenica 27, Ballkani 27, Drita 26, Flamurtari 26, pastaj Trepça është në vend të nëntë me 25 pikë etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat