Grezda pret me padurim rikthimin

Futboll

Grezda pret me padurim rikthimin

Më: 1 mars 2019 Në ora: 17:03
Grezda pret me padurim rikthimin

Eros Grezda pret me padurim rikthimin në fushën e lojës. Largimi nga Osijeku drejt Rangers në Skoci, u shoqërua me rehabilitimin e plotë të sulmuesit të krahut, që kaloi një lëndim vitin e shkuar në kavilje.

Nën drejtimin e një legjende si Steven Gerrard, Eros Grezda nisi të luante në Skoci dhe të tregonte vlerat e tij si futbollist, teksa në një ndeshje të vetme arriti të shënonte dy herë dhe të jepte një asist.

Por fati nuk ishte me të në minifazën  përgatitore, që ekipi zhvilloi në janar në Spanjë, teksa gjatë stërvitjes sulmuesi u lëndua sërish nga një shok i skuadrës. Dy muaj rehabilitim dhe tani kthim në stërvitje te Rangers, ndërsa për të arritur formën, sulmuesi kuqezi do të duhet të luajë me ekipin e dytë për disa ndeshje.

"Rikuperimi po shkon shumë mirë, tani e kam lënë pas lëndimin që kisha. Ishte një goditje në stërvitje, po bënim një ndeshje brenda grupit, kur një bashkëlojtar mu fut shumë keq. Më dëmtoi në kavilje. Tani jam në fazën e stërvitjes me ekipin dhe bëj çdo gjë normal si të tjerët. Trajneri më ka thënë që do të më aktivizojë me ekipin e dytë tani, që të marr minuta në këmbë, sepse jam pa ndeshje prej 2 muajsh”-thotë sulmuesi.

Grezda tregon gjithashtu se gjatë kësaj periudhe ka qenë vazhdimisht në kontakt me trajnerin Gerrard dhe stafin e ekipit. Luftën për titull mes Rangers dhe Celltik e sheh shumë të vështirë për skuadrën e tij, por tregon se ekipi do të luftojë deri në fund.

“Kam qenë çdo ditë në kontakt me trajnerin Gerrard dhe stafin. Atmosfera është shumë e mirë në ekip, kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe rezultatet po ashtu. Do të jetë shumë e vështirë, por nuk do të dorëzohemi deri në fund. Ka ende shumë ndeshje, kështu që do të shohim çdo të ndodhë”-shprehet 23-vjeçari. 

Në prag të grumbullimit të ekipit kombëtar, Grezda tregon se Panucci do të ketë një problem interesant, pasi lojtarët janë në formë të mirë. Ndërsa për grumbullimin e tij, Grezda thotë se do punojë shumë për të arritur formën. 

“Më vjen mirë që më në fund Panucci do të ketë probleme të lezetshme, sepse ka shumë lojtarë në formë dhe kjo është në të mirë të kombëtares. Besoj që do të bëjë zgjedhjen e duhur në fund. Po punoj shumë fort që të jem në formën time më të mirë të mundshme deri në grumbullimin e kombëtares”-shprehet Eros Grezda. 

Nëse do të jetë gati për Turqinë, sulmuesi ka dhe një dëshirë, që në atë ndeshje të jetë në fushë dhe të përsëritet historia e ndeshjes miqësore të dy viteve më parë. 

“Kam shumë dëshirë që të jem në fushë dhe të përsërisim atë sukses të dy viteve më parë. Besoj që motivimi është te të gjithë lojtarët dhe me padurim e presin atë ndeshje. Nuk kam foluar gjatë kësaj periudhe me trajnerin Panucci, vetëm me stafin e ekipit kombëtar kam qenë në kontakt”-përfundon Eros Grezda për Telesport.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat