Llapi triumfon kundër Prishtinës, kjo e fundit -5 pikë nga Feronikeli

Futboll

Llapi triumfon kundër Prishtinës, kjo e fundit -5 pikë nga Feronikeli

Nga: Kemajl Goca Më: 2 mars 2019 Në ora: 15:31
Pamje nga ndeshja Llapi-Prishtina

Llapi nga Podujeva është në festë të madhe, duke e mundur me rezultat minimal 1:0 ekipin e Prishtinës, në ndeshje kryesore të javës së 20-të të elitës së futbollit të Kosovës. Mbi 4 mijë shikues në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë janë të gëzuar për fitoren e skuadrës së tyre.

Për Prishtinën është humbje e rëndë, e cila tani ngec për pesë pikë larg liderit Feronikelit nga Drenasi. Llapjanët fituan pikë që nuk maten as me ari dhe mbeten në garë për titull, ndërsa Prishtina komplikon edhe më shumë punët e saja. 

Ish futbollisti i Prishtinës, Ahmed Januzi shënon për fitoren e madhe pikërisht në minutën e 47-të dhe i solli tri pikë të mëdha llapjanëve. Në minutën e 90+5, Armend Dallku ndëshkohet me karton të kuq pas dy të verdhëve dhe la Prishtinën pa një lojtar në fushë. Feronikeli kryeson me 48 pikë, ka pesë më shumë se Prishtina në vend të dytë dhe Llapi është i treti me 41 pikë. Të mërkurën e ardhshme Prishtina pret Feronikelin, sfida kryesore e kampionatit.

Feronikeli fiton me 1:0 kundër KEK-ut, në ndeshjen që u luajt në stadiumin në Kastriot. Sulmuesi Kastriot Rexha shënon në minutën e 40-të për fitoren e “Nikli”. KEK-u është në fund të renditjes me 1 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat