Vjen reagimi i FFK-së për zgjedhjen e kryetarit të Federatës serbe të futbollit në Kosovë

Futboll

Vjen reagimi i FFK-së për zgjedhjen e kryetarit të Federatës serbe të futbollit në Kosovë

Më: 4 mars 2019 Në ora: 22:08
FFK

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas lajmeve se Milan Radoicic, është emëruar kryetar i Federatës së Futbollit të Serbisë në Kosovë.

Në një prononcim Ademi ka thënë se është e papranueshme kjo se çfarë janë duke bërë serbët dhe se do të vazhdojnë të ankohen në UEFA e FIFA.

Asambleja e Federatës Serbe të Futbollit të Kosovës (FSFK) e ka zgjedhur Milan Radiociqin për president të kësaj Federate, për të cilin votuan 30 nga 40 delegatë.

Radoiciq dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Tani, ai është në arrati, pasi që po kërkohet nga Policia e Kosovës.

“Jemi ankuar tashmë në UEFA e FIFA, prapë do të ankohemi pas kësaj zgjedhje”, tha Ademi për Express.

“FIFA do t’i sqarojë Federatës së Serbisë gjithçka. Në kohën kur po mundohet e gjithë bota me ariut marrëveshje, për kundër premtimeve, ata lëshohen në një nivel shumë të ulët për me zgjedh njerëz tyre në një tjetër shtet”.

“Kjo është diçka që ata gjithmonë e bëjnë. Ne do të reagojmë në UEFA e FIFA dhe do tregojmë për këtë që po ndodh”, shtoi ai.

Ademi ndër të tjera, kërkoi nga institucionet e Kosovës që të mos lejojnë asnjë skuadër të futet në vendin tonë për një aktivitet që është i paligjshëm.

"Ftoj institucionet tona që çdo aktivitet që do tentohet të ndalohet. Nuk do të lejojmë asnjë aktivitet në Kosovës, ftojmë nëse tenton ndonjë ekip të hyjë, të mos lejohet, sepse nuk do t’i lejohet hyrja për ndonjë aktivitet”.

“Është e papranueshme, nuk pranojmë këso lloj formash të njohura për ne tashmë nga ana e serbeve. Ftoj FIFA-n dhe UEFA-n të reagojnë sa më parë”.

“Shpresoj dhe besoj në UEFA e FIFA, sepse organizata e vetme e licencuar e pranuar në UEFA e FIFA është Federata e Futbollit të Kosovës dhe askush nuk guxon të bëjë aktivitete të tjera”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat