Milan "i hekurt", mbrojtja më e mirë e vitit 2019. Klubi blindon Donnarumman

Futboll

Milan "i hekurt", mbrojtja më e mirë e vitit 2019. Klubi blindon Donnarumman

Më: 5 mars 2019 Në ora: 16:43
Donnarumman

Një mbrojtje e mirë fiton, edhe nëse sulmi është normal. Të paktën, ky është mësimi që historia e futbollit ka dhënë me fakte dhe prova. Sidomos, nëse luan në Itali, aty ku takticizmi është kryefjala në çdo skuadër.

Duke i qëndruar statistikave, që janë edhe ato që në fund bëjnë diferencën, në krye të top 5 kampionateve më të mira në Europë, qëndron skuadra e Milanit sa i përket golave të pësuar në katër muajt e fundit.

Nuk e besoni? Prej fillimit të dhjetorit, kuqezinjtë kanë pësuar vetëm pesë gola në Serie A, më pak se çdo skuadër tjetër. Kështu, Barcelona ka pësuar 6 gola, Torino dhe Napoli 7 gola, ndërsa Atletico, Juventusi dhe PSG nga 8 gola.

Meritë e mbrojtjes kuqezi dhe sidomos punës së palodhur të Gattusos. Por, duartrokitjet i shkojnë jo vetëm Romagnolit & Co. Gjiganti i portës, Donnarumma, që sapo ka mbushur 20 vjeç, është kthyer të jetë i pakalueshëm. Nëse në fillim të sezonit çdo top që shkonte në portë ishte gol për kundërshtarin, tani duhet të kalojë në fillim trupin e gardianit.

Janë kështu larg kohët kur tensionet dhe polemikat ishin "buka e përditshme" për futbollistin e lindur dhe rritur në Castellammare di Stabia, provincë e Napolit. Ishte vera e vitit 2017 dhe tifozët nisën ta urrenin. Donnarumma sot është bërë edhe më i dashur për tifozerinë, por edhe drejtuesit, të cilët janë gati të ulen të diskutojnë për rinovimin e kontratës që i skadon në vitin 2021. Motivi? T'ia heqin duarve të klubeve "big". 

Leonardo, që është në raporte të shkëlqyera me Mino Raiolan, po negocion për të shtyrë kontratën deri në vitin 2024 me një përmirësim të rrogës. Në fakt, nga 6 mln euro që fiton aktualisht, portieri 20 vjeçar mund të arrijë të përfitojë deri në 7-7,5 mln euro në sezon.

Sakaq, "La Gazzetta dello Sport" ka vendosur përballë Donnarumman me idhullin e tij, Neuer. Gigio, për shembull, në karrierë ka pësuar 1,05 gola për ndeshje në Serie A, ndërsa gjermani 0,77 në Bundesliga. Dy kampionate krejt ndryshe me skuadra krejt ndryshe. Sakaq, sa i përket mesatares së pritjeve për ndeshje, italiani ka 3 pritje për ndeshje, më shumë se gjermani, me 2,3.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat