Durmishaj braktis Shqipërinë

Futboll

Durmishaj braktis Shqipërinë

Më: 6 mars 2019 Në ora: 10:46
Durmishaj braktis Shqipërinë

Shqipërisë i shtohet një tjetër futbollist në listën e atyre që e refuzojnë për Greqinë. Fiorin Durmishaj, sulmuesi i Panioniosit nga dje ka nisur zyrtarisht edhe lëvizjen për të përfaqësuar kombëtaren greke. Siç bëhet me dije nga mediat greke, ka qenë menaxheri i sulmuesit me origjinë vlonjate që është paraqitur në federatën helene të futbollit për të përmbushur të gjithë dokumentet për ndërrimin e kombëtares.

Largimi – Tashmë është fakt i kryer. Nisur nga presionet e ndryshme, të cilat kanë nisur me vetë menaxherin, Durmishaj ka pranuar që të përfaqësojë Greqinë. Durmishaj po pajiset me pasaportë greke. Fakti që nuk është aktivizuar për asnjë minutë me Kombëtaren A të Shqipërisë, ia lejon atij që të zgjedhë një tjetër përfaqësuese dhe në rastin konkret, atë greke. Prania gjatë ditës së djeshme e menaxherit të tij, në federatën greke të futbollit, zyrtarizon zgjedhjen e lojtarit dhe të përfaqësuesit të tij që nuk do të vijojë përfaqësimin në Kombëtaren A të Shqipërisë, pasi ka luajtur deri me ekipin Shpresa të kuqezinjve, por do të vijojë me Greqinë.

Procedurat – Në këtë moment, Durmishaj ka faktuar zgjedhjen dhe për të bërë kalimin në një kombëtare të dytë. Duhet që me anë të menaxherit, ai të bëjë një kërkesë në FIFA me dëshirën për të ndërruar kombëtaren dhe më tej, federata greke do t’i kërkojë FSHF-së që t’i vërë në dispozicion dokumentacionin që e bën Durmishajn futbollist të kombëtares helene. Në rast vonese të dokumenteve, Durmishaj do të humbte grumbullimin e radhës në mars dhe do të ishte i gatshëm që të bashkohej me Greqinë në grumbullimin e muajit qershor.

Mario Vrushaj – Mesfushori i Olimpiakosit, i huazuar tek Uilem 2 në Holandë, ka refuzuar zyrtarisht Shqipërinë. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se me anë të menaxherit të tij, që është i njëjti edhe për Fiorin Durmishajn, i është përgjigjur kërkesës së FSHF-së dhe trajnerit të Kombëtares U21, Alban Bushi, se nuk ka dëshirë që të luajë për Shqipërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat