Ajax kërcënon favoritët e Championsit

Futboll

Ajax kërcënon favoritët e Championsit

Më: 6 mars 2019 Në ora: 11:12
Ajax kërcënon favoritët e Championsit

Matthijs de Ligt beson se Ajax është i aftë të arrijë diçka të veçantë në Ligën e Kampionëve, këtë sezon, pasi eliminoi Real Madridin një raund para çerekfinaleve. Ishte një shfaqje emocionuese ajo e mbrëmshmja në “Santiago Bernabeu” nga gjigantët holandezë, që risolli në vëmendje kujtimet e skuadrës së famshme të Ajax-it në fillim të viteve 1970, kur fitoi tri gara të njëpasnjëshme europiane.

Me gjashtë lojtarë nga skuadra aktuale në fillim të moshës 22-vjeçare, ose nën këtë “dysheme”, Ajax po krahasohet me vetveten e vitit 1995, që e fitoi trofeun për të katërtën herë. Në atë skuadër bënin pjesë Edgar Davids, Clarence Seedorf dhe Patrick Kluivert. De Ligt është një nga këta të rinj të talentuar, që ka mahnitur me paraqitjet e tij në këtë sezon. Për pasojë, përflitet si një dëshirë e Barcelonës, Manchester City, PSG dhe Real Madrid.

19-vjeçari beson se skuadra e tij e meritonte fitoren dhe u shpërblye nga fakti se ruajti parimet e saj të futbollit. "Natyrisht, fitorja këtu është e pabesueshme, - tha ai për “De Telegraaf”. - Realit i lejuam hapësirë, por nuk është mësuar me këtë. Ne dëshironim të luanim futboll sulmues, e kemi diskutuar këtë paraprakisht. Treguam se mund të bëjmë diçka. Gjëja që na mungoi në Amsterdam ishte vetëm rezultati, sepse luajtëm shumë mirë edhe atje. Luftuam për njëri-tjetrin dhe ndoshta ishim në më të mirën tonë, përndryshe nuk do të fitonim dot këtu".

Megjithëse arriti finalen e “Europa League” tri vite më parë, kjo ishte paraqitja e parë e Ajax përtej fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve për 13 vite. Fitorja do të thotë se është në çerekfinale për herë të parë që nga viti 2003. Larg nga të qenit i kënaqur me këtë arritje, De Ligt beson se mund të vazhdojnë në këtë kompeticion edhe për disa kohë: "Reali është mbajtësi i titullit. Ne tashmë ia kemi bërë Bayernit tepër të vështirë në fazën e grupeve dhe eliminuam Real Madridin. Mund të ecim përpara, të bëjmë diçka të veçantë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat