Kombëtarja e Shqipërisë merr tre goditje të forta, Panucci s’është kërkah!

Futboll

Kombëtarja e Shqipërisë merr tre goditje të forta, Panucci s’është kërkah!

Më: 6 mars 2019 Në ora: 12:01
Cristian Panuci

Trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, është kthyer në një Kristofor Kolomb gjatë muajve të fundit.

Numri një i stolit në rolin e një eksploruesi është munduar të gjejë sa më shumë lojtarë dhe t’i joshë për të përforcuar ekipin tonë kombëtar. Nga Argjentina e largët e deri në Greqinë e afërt, ai ka pikasur shumë futbollistë, por ka marrë shumë përgjigje negative. Prej atyre që të dhembin, prej atyre që të prishin planet dhe të japin një goditje të fortë.

Shqipëria do të nisë fushatën kualifikuese për Euro 2020 ndaj Turqisë (22 mars) dhe Andorës (25 mars) dhe nuk ka asnjë justifikim për teknikun italian. Eliminatoret e UEFA Nations League i çoi në djall, ndërsa u konfirmua nga presidenti Armand Duka, pak rëndësi ka se si.

Durmishaj kur luante me Shqipërinë U-21

Durmishaj – Panucci ka qenë i pafat, pasi ka marrë 3 përgjigje negative nga 3 lojtarë që do të ndihmonin goxha në ngritjen e nivelit të ekipit tonë kombëtar. I pari është sulmuesi Fiorin Durmishaj. 22-vjeçari ka shpërthyer te Panionisi duke luajtur në 22 ndeshje dhe duke përshëndetur 6 herë rrjetën. I lindur në Tiranë, i rritur në Greqi ka provuar dhe emocionet e himnit tonë me fanellën e Shqipërisë U-21, ka vendosur dhe dorën në zemër, por duket se ka zgjedhur tjetër rrugë. Suksesi momental dhe e ardhmja premtuese ka bërë që Greqia të hidhet në sulm me trajner, drejtues dhe media. Durmishaj zgjodhi ngjyrat helene, pavarësisht se nuk është konfirmuar ende diçka e tillë. Dikush thotë se u kujtuam vonë, në fakt është zgjedhje individuale, pasi ai ka qenë nën fokus, ka luajtur dhe me Shpresat!

Vrushaj

Vrushaj – E njëjta situatë dhe me Marius Vrushajn. 20-vjeçari është lindur në Shqipëri, por është rritur në Greqi. I dalë nga akademia e Olimpiakosit, sulmuesi anësor është huazuar te Willem II në Holandë. 6 ndeshje, 3 gola të shënuar. Sinjal i qartë që e njeh mirë portën kundërshtare dhe të zgjidh ndeshjet. Shqipëria ka nisur sulmin, por ftesa e Panuccit është refuzuar nga 20-vjeçari. Ky i fundit ka luajtur më herët me U-19 e Greqisë e duket se po pret ftesë nga Greqia U-21. Kemi ende shpresë për të, ku i dihet, mbase nuk e ftojnë grekët që të ndihet sa duhet shqiptar. E bëri Mihaj, e ka bërë Mavraj, e ka bërë Ajeti, pse të mos e bëjë Vrushaj?!

Guidara gjatë një dyluftimi për skuadrën e tij të Belgranos

Guidara – Refuzimi i fundit dhe më i papritur është ai i Tomas Guidarës. Mbrojtësi i lindur në Argjentinë ka prejardhje arbëreshe dhe drejtuesit e FSHF-së ja bënë të ditur një fakt të tillë. Komunikime pafund, takime të drejtpërdrejta të lojtarit me trajnerin dhe në fund një vrimë në ujë… Burime të Telesport pranë FSHF-së bëjnë me dije se as mbrojtësi 22-vjeçar nuk do t’i bashkohet ekipit tonë. “Prapa-kthehu” në momentet e fundit. Shqip nuk dinte, himnin jo e jo, e papritur për mënyrën se si shkuan negociatat, por deri diku e kuptueshme. Megjithatë, dera për të mbetet sërish e hapur.telesport

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat