Ribery: Si mund të kemi frikë nga Liverpool!

Futboll

Ribery: Si mund të kemi frikë nga Liverpool!

Më: 7 mars 2019 Në ora: 15:29
Ribery: Si mund të kemi frikë nga Liverpool!

Franck Ribery këmbëngul se Bayern Munih nuk ka frikë nga Liverpool, me të dyja klubet që po përgatiten të “përplasin brirët” përsëri në Champions League. Sfida e parë në “Anfield” ka përfunduar në barazimin 0:0. 

Sezoni 2018-2019 ka qenë një testim për francezin në “Allianz Arena”, por edhe skuadrën e trajnerit Kovac. Pavarësisht një nisjeje të ngadaltë për mbrojtjen e titullit të Bundesligës, gjigantët gjermanë e kanë reduktuar distancën me udhëheqësit e Borussia Dortmundit. Ata janë gjithashtu në çerekfinale të “DFB-Pokal” dhe po kërkojnë të arrijnë të njëjtën fazë edhe në Champions. 

“Reds” e Premier League do të përbëjnë një tjetër test serioz për kredencialet Bayernit, por Ribery këmbëngul se skuadra e tij është gati të përballet me këtë sfidë. Veterani francez i tha BILD: "Atmosfera është pozitive, edhe për faktin se do të luajmë në shtëpi. Liverpool ka një ekip të fortë, por ne jemi Bayern Munich.

Kemi besim në aftësitë tona dhe nuk kemi frikë nga Liverpool. Nëse luajmë së bashku dhe luftojmë, atëherë mund të shkojmë në çerekfinale. Kemi një shans të vërtetë për këtë".

Ribery e nisi nga stoli ndeshjen e parë me Liverpool, në “Anfield”. Megjithatë, ishte në gjendje t’u jepte shkëndija sulmuese të tijve, duke e mbajtur në presion kundërshtarin. Mund të ndodhë që të ketë një shans tjetër në kthim, kur dy rivalët e mëdhenj do të takohen përsëri, të mërkurën e ardhshme. 

35-vjeçari është i bindur se mund të përparojnë në Champions: "Ndeshjet kundër Liverpool janë shumë të rëndësishme, ndaj jam me të vërtetë i motivuar. Nëse luani në Champions, kjo është një ndjenjë e veçantë, përjeton një atmosferë ndryshe.

Jam gati për ndeshjen dhe mund të luaj. Sidoqoftë, vendimi është i trajnerit Niko Kovac, me të cilin kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe plot besim".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat