Benjamin Kololli dhe Albian Ajeti shkëlqyen në Kampionatin e Zvicrës. Kololli shënoi dy gola për Zurich-un që barazoi në udhëtim 2:2 me Thunin, kurse Albian Ajeti një për Baselin që u nda baras 1:1 me Luganon vendase. Kololli ka qenë në formë të mirë, i cili në minutën e 40-të nga 12-13 metra me goditje të fortë shënoi në këndin e majtë dhe për 1:1, kurse në fund të sfidës ka qenë i saktë nga penalltia për rezultatin 2:2.
Për Zurich-un realizuan: Kololli (40' e 90+2' nga penalltia) dhe për Thunin Stillhart (38' e 42'). Kololli dhe Hekuran Kryeziu u paraqitën të plotë, kurse Lavdim Zymberi nga minuta e 80-të. Zurich është në vend të gjashtë me 30 pikë, kurse Thun i treti me 37.
Albian Ajeti shënoi gol të bukur me kokë në minutën e 7-të për 0:1 në favor të Baselit, por Jonathan Sabbatini (44') barazoi shifrat. Ajeti dhe Taulant Xhaka luajtën të plotë dhe dhanë maksimumin, ndërsa Edon Zhegrova u paraqit nga minuta e 66-të për Baselin dhe Armando Sadiku luajti nga minuta e 74-të për Luganon.
Pas 24 jave Baseli mban vendin e dytë me 44 pikë, kurse Lugano është i shtati me 27. Luzerni para shikuesve të vet e mundi me 3:0 St. Gallenin. Schurpf (44'), Schneuwly (56') e Eleke (86') shënuan për fitoren e vendasve. Idriz Voca luajti standard, kurse Shkëlqim Demhasaj nga minuta e 72-të për Luzernin. Luzerni është në vend të katërt me 32 pikë, një më shumë se St. Gallen i pesti.
Liga e Zvicrës
Lugano-Basel 1:1
Luzern-St. Gallen 3:0
Thun-Zurich 2:2
Grasshoppers-Young Boys 0:1
Xamax-Sion 3:1
Tabela
1. Young Boys 24 21 2 1 65
2. Basel 24 12 8 4 44
3. Thun 24 10 7 7 37
4. Luzern 24 10 2 12 32
5. St. Gallen 24 9 4 11 31
6. Zurich 24 7 9 8 30
7. Lugano 24 6 9 9 27
8. Sion 24 7 5 12 26
9. Xamax 24 5 7 12 22
10. Grasshoppers 24 5 3 16 18