Messi nuk ka kufij

Futboll

Messi nuk ka kufij

Më: 18 mars 2019 Në ora: 16:36
Leo Messi

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, i kaloi 15 vjet duke i shfaqur cilësitë e pabesueshme që i zotëron, ama prapëseprapë ai gjen mënyra të reja për t’i habitur njerëzit. Paraqitja e tij në stadiumin Benito Villamarin kundër Real Betisit të dielën mbrëma ishte e jashtëzakonshme dhe pasi e kompletoi het-trikun me një parabolë mbi Pau Lopez nga cepi i zonës së rreptësisë, argjentinasi mori duartrokitje nga i tërë stadiumi.

Nuk tingëllon më si diçka e veçantë të thuash se Messi e shënoi një het-trik, pasi ai i ka regjistruar 51 sosh në karrierën e tij profesionale. Pjesë e asaj që e bëri het-trikun e tij të veçantë kundër Betisit, megjithatë, ishte mënyra sesi ai e shënoi secilin gol ndryshe: gjë që tregon për aftësitë e shumta që kapiteni i Barcelonës i posedon.

Goli i tij i parë i mbrëmjes erdhi nga goditja e lirë. Pak metra lartë zonës së 16-metershit, Messi e dërgoi topin mu në cepin e majtë të portës, edhe pse Lopez po qëndronte pikërisht në atë anë. Forca me të cilën u godit topi e bëri pothuajse të pamundur për portierin ta mbrojë atë.

Goli i dytë ishte më shumë gol i shënuar nga një sulmues tipik. Messi nisi të vrapojë drejt zonës menjëherë pasi Barça e fitoi topin në pjesën e fushës së Betisit dhe Luis Suarez e gjeti numrin 10 të katalonasve me një superpasim me thembër, më pas Messi e mposhti Lopezin duke e dërguar topin në rrjetë me të jashtmen e këmbës së majtë, edhe pse nën presion të madh nga Willuam Carvalhom Aissa Mandi dhe Sidnei.

Goli i tretë i Messit ishte bukuria vetë. Argjentinasi 31-vjeçar e paraboloi Lopezin nga cepi i 16-metershit të tij, me topin që preku shtyllën transversale para së të futej në rrjetë. Kamerat e kapen reagimin e Lopezit, i cili nuk mundi të besonte se çfarë i kishte ndodhur. “Çfarë bishe”, besohet të ketë thënë me vete spanjolli.

Me ato tri gola të dielën, Messi tani i ka 29 gola këtë sezon në La Liga, 11 më shumë se Luis Suarez në vendin e dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat