Sermaxhaj: Dikush do të na befasoj!  - Bota Sot
Sermaxhaj: Dikush do të na befasoj! 

Futboll

Sermaxhaj: Dikush do të na befasoj! 

Nga: Kemajl Goca Më: 19 mars 2019 Në ora: 10:31
Sermaxhaj: Dikush do të na befasoj! 

Në vitet e fundit disa nga ish futbollistët po angazhohen në zejen e trajnerit në klubet e ndryshme, duke punuar me grup-moshat e reja. 

Ndër ta është edhe Genc Sermaxhaj, ish prej futbollistëve më të mirë që ka pasur vendi ynë, po ashtu ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Kosovës, ndërsa sot është i angazhuar trajner në klubin e futbollit Drita nga Gjilani për grupmoshat e reja (U15). Ai punon me përkushtim në zbulimin dhe formimin e talenteve të kësaj loje më të popullarizuar në botë. Djaloshi nga Gjilani tha se nuk është edhe punë e lehtë të jesh trajner, sepse kërkon angazhim të madh dhe profesionalizëm. “Për mua zeja e trajnerit është diçka që më flen mirë dhe diçka që e ndjej. Do përpiqem të aftësoj lojtarët e rinj për të ardhmen e tyre”, ka thënë Sermaxhaj.

 Jo vetëm Sermaxhaj po kemi edhe shumë trajner tjerë të gjeneratës së re që punojnë në klubet e ndryshme, disa janë të angazhuar edhe në kombëtaret e grupmoshave të ndryshme. Ish futbollistët me sukses po e bartin përvojën e tyre të brezi i ri dhe mundohen që në të ardhmen të nxjerrin ndonjë yll që të lë nam në arenën ndërkombëtare. Sermaxhaj tha se Kosova është një gurrë e pashtershme e talenteve. Sipas tij, ka vite që kemi shumë shqiptar që luajnë me sukses jo vetëm në Evropë, por edhe në shtetet e Skandinavisë. Ndryshe Sermaxhaj është bachelor i shkencave sportive dhe profesor, po ashtu ka licencën B të trajnerit. Përveç për zejen e trajnerit, ai ka folur se si i sheh edhe 10 javët e fundit në elitën e futbollit tonë.

Image

Ai krahas si trajner është edhe analist, ku ka përmendur me emra se cila nga skuadrat është më afër titulli, kush nuk e ka rehatinë dhe cilat skuadra mund të rrezikohen për largim nga elita, si dhe si e sheh Lirinë e Ferizajn. Sermaxhaj me kërshëri pret edhe dy ndeshjet gjatë këtyre ditëve të kombëtares së Kosovës, të parën kundër Danimarkës, një miqësore e mirëseardhur dhe për të testuar formën e secilit futbollist para sfidës kualifikuese me Bullgarinë, që të dy takimet do të luhen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.  Ish futbollisti mendon se Kosova mund të jetë e rrezikshme si për danezët po ashtu edhe për bullgarët dhe pret edhe një atmosferë brilante në stadium, sidomos nga tifozët “Dardanët” në përkrahjen e djelmoshave tanë.

“Bota sot”: Me çfarë merresh me shumë dhe sa është vështirë të punosh zejen e trajnerit?
Genc Sermaxhaj
: Aktualisht jam trajner në grupmoshën U15, në klubin FC Drita, ku po kaloj momente shumë të mira me të gjithë. Lojtarët po mësojnë çdo ditë gjëra të reja, janë shumë të mirë, po ashtu krerët e klubit janë të kënaqur me punën time, e sidomos koordinatori Beqir Rukovci i cili na përkrahë në çdo moment. Gjithashtu edhe kolegët e mi të punës janë të mrekullueshëm dhe po kalojmë shumë mirë.  Për mua zeja e trajnerit është diçka që më flen mirë dhe diçka që e ndjej. Do përpiqem të aftësoj lojtarët e rinj për të ardhmen e tyre ndryshe nga ajo që kam pas unë. Këtë do e bëj ju premtoj.

“Bota sot”: Si i sheh kategoritë e reja të Dritës, a kemi një brumë që mund të befasojë të ardhmen?
Genc Sermaxhaj:
Padyshim që po, grupin që unë e udhëheq janë të mrekullueshëm, sidomos disa futbollistë të cilëve nuk do t’ua përmend emrat! Do t’i shihni në të ardhmen, janë nivel tjetër nga lojtarët e zakonshëm në vendin tonë.

Bota sot”: Sa është vështirë të jetohet me futbollin e Kosovës?
Genc Sermaxhaj:
Çdo punë në Kosovë ka vështirësitë e veta, këto vështirësi i ka edhe futbolli. Nuk do të ankohem, por ka mundësi edhe më mirë, gjithsesi e ardhmja do të sjell më shumë të ardhura.


 “Bota sot”: Si e sheh luftën për titullin e kampionit në elitën e futbollit në dhjetë javët e ardhshme?
Genc Sermaxhaj
: Lufta e kreut dhe e rëniet do të jenë mjaft të ashpra padyshim, ngase kemi të përfshira të gjitha ekipet në lojë dhe asnjëra nuk janë të qeta, prandaj ky kampionat ka veçoritë e saj ku po cilësohet edhe si kampionati më interesant.

“Bota sot”: Feronikeli, Llapi dhe Prishtina në garë për titull, cila më afër synimit?
Genc Sermaxhaj:
Që nga fillimi kam vlerësuar lartë ekipet si Prishtina dhe Feronikeli, por gjithsesi se më afër mund të jetë Feronikeli në bazë të përformancave të treguara në ndeshjet e saj, e cila përveç fitoreve që po i rreshton, po luan edhe futboll të bukur për t’u parë. Prishtina ka zhgënjyer në disa ndeshje, por gjithsesi do të jetë ndjekse serioze e Feronikelit deri ne përfundim.

“Bota sot”: Si e sheh luftën për ekzistencë mes skuadrave elite?
Genc Sermaxhaj:
Do të jetë një ashpërsi fërkimesh mes tyre për vendet që bien, dërgojnë barazh e sigurojnë vende edhe për stinorin tjetër, por më shumë vështirësi do të ketë Liria dhe Ferizaj për një vend në barazh, por të qeta aspak nuk do të jenë Ballkani dhe Gjilani.

“Bota sot”: Ferizaj këndellet pak a shumë edhe Liria, a mendoni se deri te vendi i peste janë te rrezikuara dhe nuk ka rehati ose a mund te kemi ndonjë çudi?
Genc Sermaxhaj:
Prandaj e thash në fillim se kampionati është interesant pikërisht se të gjitha ekipet janë në lojë. Asnjëra nuk do të flej e qetë derisa të mbaroj kampionati, por dikush do të na befasoj!

“Bota sot”: Me 21 mars Kosova luan miqësore me kombëtaren e Danimarkës, kurse me 25 mars ndeshet me Bullgarinë në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020. Si i sheh këto ndeshje?
Genc Sermaxhaj:
Shpresojmë që Kosova të ketë formën dhe nivelin e vitit të kaluar, kështu do të jemi më të rrezikshëm për kundërshtarët në kualifikimet e 2020. Përballja ndaj Danimarkës do të shfaq çdo anë pozitive dhe negative tonën ngase është kundërshtarë mjaft i fortë. Trajneri Challandes besoj se do të përgatis ekipin në aspektin më të mirë, dhe lojtarët duhet të japin më të mirën për të dëshmuar se paraqitjet në Ligën e Kombeve nuk kanë qenë aksidentale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...