Vazhdon zënka mes legjendave të Man Unitedit dhe Ibrahimovicit

Futboll

Vazhdon zënka mes legjendave të Man Unitedit dhe Ibrahimovicit

Më: 20 mars 2019 Në ora: 11:19
Zlatan Ibrahimoviq

Ish-anësori legjendar i Manchester Unitedit, Ryan Giggs, ia ka kthyer përgjigjen Zlatan Ibrahimovicit, pasi suedezi kishte pretenduar se legjendat e klubit anglez ankohen gjatë gjithë kohës për “Djajtë e kuq”.

Trajneri i ekipit kombëtar të Uellsit reflektoi për kontributin e madh që e kishte dhënë ai për klubin anglez, bashkë me Gary dhe Phil Neville, Paul Scholesin, Nicky Buttin dhe David Beckhamin. Me sarkazëm, uellsiani tha se Ibrahimovici di më shumë për Man Unitedin sesa ish-futbollistët legjendarë të klubit.

Ibrahimovic e kishte emëruar këtë grup si “Rrethi i Fergusonit” dhe kishte vënë në dyshim se ishte vetë Sir Alex Fergusoni ai që i ka dhënë atyre leje për ta hapur gojën kundër lojtarëve si Paul Pogba.

“Ata janë në TV dhe ankohen gjatë gjithë kohës sepse nuk janë aktivë në klub. Nëse do të punosh në klub, shko dhe kërko punë atje. Me Pogban, ai ishte me Unitedin kur ishte i ri, pastaj u largua dhe u kthye. Dhe në rrethin e Fergusonit nuk u pëlqen kjo gjë”, ka thënë Ibrahimovic.

Megjithatë, vetëm disa orë kaluan dhe ndaj kësaj akuze reagoi Giggs.

“Vetëm Nicky është i lidhur me klubin tani, por kur luan mbi 2 mijë ndeshje aty së bashku, është normale që e kemi një mendim. Nganjëherë mendimi është pozitiv, nganjëherë negativ, por nuk ndikon në rezultate”, tha Giggs.

“Ne jemi tifozë. Kjo është më e rëndësishmja në futbollit, gjithçka ka të bëjë me mendimet e ndryshme. Por, natyrisht, Ibrahimovici di më shumë për Manchester Unitedin sesa ne”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat