Barcelona i ofron 60 milionë euro për De Ligtin

Futboll

Barcelona i ofron 60 milionë euro për De Ligtin

Më: 20 mars 2019 Në ora: 14:33
Matthijs de Ligtit

Barcelona beson se do ta përmbyllë marrëveshjen për transferimin e Matthijs de Ligtit brenda muajit të ardhshëm. Katalonasit e kanë bërë tani ofertën e tyre për lojtarin e Ajaxit, pasi klubi holandez e eliminoi Real Madridin nga Liga e Kampionëve.

Sapo e panë drejtorët e Barcelonës interesimin e De Ligtit për t’u transferuar në La Liga, menjëherë i filluan punët për t’ia bërë Ajaxit ofertën e parë.

Gazeta spanjolle “Sport” raporton se Barcelona i ka ofruar 60 milionë euro plus shtesa për holandezin, i cili pritet të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare, të ngjashme me bashkëlojtarin e tij, Frenkie de Jongun.

Kjo marrëveshje ka qenë duke i diskutuar tash e një kohë të gjatë, mirëpo me kalimin e kohës, çmimi i qendërmbrojtësit po vazhdon të rritet. Burimet e “Sport” thonë se marrëveshja është afër kompletimit. Klubi është shumë optimist, mirëpo askush nuk dëshiron ta sigurojë askënd për asgjë para se të gjitha dokumentet të nënshkruhen.

Barcelona tentoi të arrijë marrëveshje me De Ligtin në nëntor të vitit të kaluar, mirëpo një gjë e tillë u pamundësua për shkak të kërkesave të shumta të futbollistit. Mbrojtësi holandez nuk ishte i sigurt se e donte transferimin në Barcelonë, pasi që klubi spanjoll nuk mund t’ia garantonte një vend në formacionin e parë.

Në atë moment, bordi e kishte marrë shembull rastin e Clement Lenglet, i cili ishte transferuar së fundi dhe ishte bërë titullar në skuadrën e trajnerit Ernesto Valverde.

De Ligti do të duhet të luftojë me Gerard Piquen për pozitën e qendërmbrojtësit në pjesën e djathtë dhe Barcelona synon ta bindë holandezin me premtimin se ai do të jetë i rëndësishëm për klubin edhe në të tashmen, edhe në të ardhmen.

De Ligti kërkohet nga Juventusi, Paris Saint-Germaini dhe Bayern Munichu. Ai duhet ta marrë një vendim për të ardhmen e karrierës së tij dhe për momentin ai e ka zgjedhur Barcelonën. Megjithatë, ai do ta ketë edhe një takim përfundimtar ku do të vendoset gjithçka. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat