Nuk pranohet rikthimi, Real Madridi i vendos çmimin James Rodriguez

Futboll

Nuk pranohet rikthimi, Real Madridi i vendos çmimin James Rodriguez

Më: 23 mars 2019 Në ora: 13:44
James Rodriguez

James Rodriguez u huazua te Bayern Munich në verën e vitit 2017. Braktisi Real Madridin dhe u duk se në Bavari gjeti besimin e duhur. Pasi ishte një nga protagonistët e sezonit të kaluar, nën drejtimin e dyfishtë të Carlo Ancelotti dhe Juup Heynckes, këtë vit kolumbiani ka shënuar tashmë 7 gola dhe ka dhënë 6 asiste në 23 ndeshje, nën drejtimin e trajnerit Niko Kovac. 

Në vitin e dytë të një huazimi, që po përfundon, Bayern Munich është i thirrur të vendosë nëse do të ushtrojë të drejtën e blerjes përfundimtare të lojtarit, apo do ta kthejë mbrapsht në “Santiago Bernabeu”. Pasi ka paguar 13 milionë euro te Real Madridi për ta marrë atë përkohësisht në Bavari, klubi gjerman duhet të investojë një tjetër shumë, 45 milionë euro për ta blerë kartonin e mesfushorit. 

E sigurt duket se, edhe në rast të një vendimi negativ nga kampionët gjermanë, James Rodriguez nuk do të kthehet te Real Madridi, për të qëndruar atje sezonin e ardhshëm. Sipas “ABC”, të bardhët e kanë vendosur tashmë për ta nxjerrë në merkato, duke i caktuar edhe shifrën: 70 milionë euro.

I ndjekur me kujdes nga Arsenali, Manchester United, Liverpool, Juventusi dhe Napoli, siç thotë “Marca”, e ardhmja e kolumbianit duket e destinuar të materializohet larg nga kryeqyteti spanjoll.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat