Hazard: Ai hamburger më bëri legjendë

Futboll

Hazard: Ai hamburger më bëri legjendë

Më: 23 mars 2019 Në ora: 18:59
Hazard: Ai hamburger më bëri legjendë

Eden Hazard është ndër lojtarët e mëdhenj të momentit, por ka pasur kohë për të bërë gabimet e tij në rini. Dy prej tyre kanë qenë më të përfolurit. Në maj të vitit 2012, Hazard e pranoi sfidën e madhe të karrierës së tij, kur nënshkroi me Chelsea-n, para se ta përfundonte sezonin e tij me Lille. Me sa duket, ditën kur nënshkroi me blutë e Londrës shkoi për të festuar me shokun e tij të skuadrësj, Rio Mavuba, deri në orët e vona të mëngjesit. Deri aty duket se asgjë nuk ishte e pazakontë, por të nesërmen kishte ndeshje.

“Ne vendosëm të shkonim për të pirë dhe darkuam jashtë. Të nesërmen në mëngjes, Eden ishte ende i dehur. Ai nuk fjeti, piu gjithë natën dhe shëmoi tre gola”, – tha Mavuba.

Kjo histori njihet falë ish-partnerit të tij dhe belgu nuk e ka pranuar kurrë, por tani e dimë se tjetra është e vërtetë. Hazard u largua për të ngrënë një hamburger në mes të një ndeshjeje me Belgjikën. Lojtari i kërkuar me ngulm nga Real Madridi u zëvendësua në minutën e 60-të të ndeshjes kundër Turqisë në vitin 2011 dhe vendosi të largohej nga stadiumi për të ngrënë një hamburger me anëtarët e familjes. Trajneri i atëhershëm i kombëtares belge, Georges Leekens, e pezulloi atë për dy ndeshjet e ardhshme (kundër Sllovenisë dhe Azerbajxhanit).

Tetë vite më vonë, Hazard rrëfen “arratisjen” dhe supozon se kjo ngjarje e ka bërë atë një legjendë të Belgjikës:

“Salca e atij hamburgeri ishte gjëja që më pëlqente më shumë. Ende e kërkoj nga nëna ime të ma sjellë kohë pas kohe edhe në Londër. E pranoj, kam bërë një marrëzi. Kjo është historia e hamburgerit… Ne ende qeshim, kur e kujtojmë në kombëtare. Mendoj se kjo histori më bëri legjendë të ekipit kombëtar”, – rrëfeu Hazard në një intervistë me RTBF.

Belgu, gjithashtu foli për të ardhmen e tij me Belgjikën, tani që ai do të rrumbullakosë 100 ndeshje për ekipin kombëtar:

“Unë nuk kam vendosur një qëllim sa ndeshje do të arrij. Gjithmonë e kam thënë se do të luaj deri sa të mbajë trupi im, por gjithashtu do të varet nga brezi i ardhshëm. Nëse e shoh se një lojtar i ri e meriton pozicionin tim, do të largohem. Jam ende i ri, por mendoj se Courtois do ta thyejë rekordin tim. Ndoshta ai do të luajë derisa të jetë 38 vjeç. Ndoshta do të imitojë Buffonin dhe do të luajë edhe mbi 40 vjeç. Do të përpiqem të luajë aq sa Thibaut”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat