Uellsi e ka nisur me fitore fazën kualifikuese të Euro 2020, duke mposhtur 1-0 në shtëpi Sllovakinë. Një gol i Daniel James pas pesë minutash lojë i ka mjaftuar skuadrës së Giggs për të siguruar tri pikët.
Ky ka qenë edhe goli më i shpejtë i realizuar nga Uellsi në një ndeshje zyrtare që nga goli i shënuar pikërisht nga Ryan Giggs pas tri minutash kundër San Marinos në marsin e 2007-ës.
Me këtë fitore, Gareth Bale me shokë kanë kapur përkohësisht Sllovakinë dhe Kroacinë në kreun e renditjes të Grupit E. Kroatët, gjithsesi, do të kenë mundësinë të shkëputen në ndeshjen që do të luajnë në orën 18:00 në fushën e Hungarisë.
Ndeshja tjetër e orës 15:00 ka qenë ajo e luajtur mes Kazakistanit dhe Rusisë, e vlefshme për Grupin I. Takimi i zhvilluar në Astana nuk ka patur shumë histori dhe është fituar bindshëm 4-0 nga miqtë.
Vendasit nuk kanë arritur të përsërisin paraqitjen e madhe të zhvilluar tri më parë kundër Skocisë, të cilën e mundën 3-0. Rusët, që vinin nga humbja 3-1 të pësuar në ndeshjen e parë kundër Belgjikës, kanë zhbllokuar rezultatin pas 19 minutash lojë me Cheryshev, i cili ka dyfishuar avantazhin e miqve në fundin e pjesës së parë.