Lushtaku: Nuk jemi në pozitë të mirë 

Futboll

Lushtaku: Nuk jemi në pozitë të mirë 

Nga: Kemajl Goca Më: 27 mars 2019 Në ora: 19:41
Lushtaku: Nuk jemi në pozitë të mirë 

Drenica nga Skenderaj ka orar shumë të mirë në javët në vazhdim në elitën e futbollit dhe pretendon tri fitore rresht, që sado kudo të jenë të qetë deri në fund të kampionatit! Skuadra nga Skenderaj është në mesin e tabelës me 30 pikë dhe nuk ka më shumë se dy pikë nga pozita që shpie në barazh përkatësisht vendi i nëntë që e mban Flamurtarin, por kjo fare nuk e shqetëson kryetrajnerin e skuadrës kuqezi Tahir Lushtaku.

Ai shprehet se e kanë shfrytëzuar maksimalisht pushimin për shkak të aktiviteteve të kombëtareve dhe janë përgatitur maksimalisht, duke i mënjanuar disa nga dobësitë që janë shfaqur në javët e kaluara, sidomos në duel me Ferizajn, ku kishin barazuar 0:0. “Nuk jemi edhe në pozitë të mirë, por kam besim te ekipi, te futbollistët për ndeshjet e mbetura, edhe pse jemi me pikë shumë të përafërta me të gjitha ekipet, me përjashtim të KEK-ut, ne do të marrim çdo ndeshje një nga një, do t’i qasemi për pikë maksimale”, thotë Lushtaku për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Të shtunën Drenica do të luajë në konak të KEK-ut dhe kërkon tri pikë të mëdha, që të përforcohet edhe më shumë në mesin e tabelës. “Në ndeshjen me KEK-un synojmë tri pikë, pas këtij takimit kemi dy ndeshje rresht si vendas. Kemi punuar shumë pas pauzës dhe jam i kënaqur me të gjithë futbollistët, të cilët kanë dhënë maksimumin gjatë këtyre ditëve në stërvitje. Nuk do të jetë lehtë, por shpresoj se në fund të kampionatit do të jem në pozitën e 5-të apo të 6-të”, theksoi ai.

A shpresoni në tri ndeshjet e radhës në pikë maksimale, nëse arrini iu siguron qetësi në vazhdim të kampionatit? “Nëse arrijmë për tri ndeshje maksimumin e pikëve, në një formë do të ikim zonës së rrezikut ose këtyre ekipeve me të rrezikuara, por nganjëherë në futboll nuk mund t’i arrish të gjitha këto objektiva. Kemi punuar shumë dhe do të mundohem t’i marrim maksimumin e pikëve, nëse arrijmë do të jemi ekip që nuk do të rrezikohemi”, përgjigjet Lushtaku. A mendoni se humbja e Flamurtarit nga Prishtina me rezultat 3:0 pak a shumë ka qetësuar Drenicën?

“Edhe Ballkani edhe Flamurtari, edhe Trepça ‘89 edhe Gjilani, jemi ekipe të gjitha në një farë formë të rrezikuar që të biem në zonën e barazhit. Edhe Ferizaj edhe Liria, kur dihet se veç KEK-u në një farë forme është anëtare e ligës parë, këto tjera luftojnë për pikë apo për të shpëtuar direkt nga rënia apo përmes barazhit. Do të jenë dy ekipe që do të mbeten në barazh, kështu që mendoj se Drenica nuk do të bëj pjesë në barazh e as të jetë e rrezikuar”, shpreh bindjen kryetrajneri drenicas. A mendoni se barazimi me Ferizajn iu ka vështirësuar pak punët?

“Është e vërtetë, ne kemi pasur pritshmëri me të madhe, menduam t’i arkëtojmë tri pikë. Mendoj se bëmë lojën më të dobët në kampionat.  Megjithatë kjo pauza për ne ka qenë e mirëseardhur dhe jemi munduar t’i eliminojmë dobësitë e mangësitë që u shfaqën me Ferizajn dhe edhe në takimet e tjera. Jemi të gatshëm t’iu qasemi çdo ndeshje dhe e dimë çfarë duhet të aplikojmë prej ndeshjes me KEK-un dhe në vazhdimësi”, përfundoi Lushtaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat