Flet Xhaka: Ende jam i zhgënjyer që i humbëm 3 pikë ndaj Danimarkës, e kërkova vetë zëvendësimin

Futboll

Flet Xhaka: Ende jam i zhgënjyer që i humbëm 3 pikë ndaj Danimarkës, e kërkova vetë zëvendësimin

Më: 28 mars 2019 Në ora: 00:49
Granit Xhaka

Granit Xhaka ende nuk mund ta largojë mendjen nga zhgënjimi i madh që e përjetoi të martën mbrëma në barazimin 3:3 të Zvicrës kundër Danimarkës në ndeshjen e vblefshme për kualifikime për Kampionatin Evropian 2020.

Zvicra po fitonte 3:0 deri në minutën e 84-të, por nga ai moment Danimarka ia doli të rikthehet në lojë duke e barazuar rezultatin në 3:3 për vetëm nëntë minuta.

Kapiteni kosovar i Zvicrës, Granit Xhaka, u zëvendësuar nga trajneri Vladimir Petkovic dhjetë minuta para fundit, vetëm 12 minuta pasi e kishte shënuar golin e dytë të vendasve, një gol të mrekullueshëm me këmbën e tij të dobët.

Pas ndeshjes, Petkovic zbuloi se vetë kosovari e kishte kërkuar zëvendësimin, gjë që e konfirmon tani edhe Xhaka.

Xhaka është rikthyer sot në Londër për t’iu bashkuar skuadrës së tij Arsenal, dhe ka treguar se do të marrë tretman mjekësor për t’u riaftësuar nga dëmtimi.

“Përsëri në Londër, por ende i palumtur qe nuk i siguruam tri pikët në ndeshjen kualifikuese për EURO kundër Danimarkës. Është gjithmonë e dhimbshme kur nuk mund ta arrish fundin, por unë u përpoqa fort derisa u detyrova ta kërkojë zëvendësimin në minutën e 79-të. Pasi nuk isha në gjendje ta mbarojë ndeshjen duke luftuar me bashkëlojtarët, sonte do ta marrë tretmanin e parë për t’u riaftësuar shpejt”, shkroi Xhaka në rrjetet sociale.

26-vjeçari pati një paraqitje brilante mbrëmë ndaj danezëve, saqë gazeta zvicerane Blick e fajësoi trajnerin për lëshimin e fitores nga dora duke e larguar kapitenin.

Xhaka kompletoi 95% të pasimeve në këtë ndeshje, duke e kontrolluar lojën dhe dominuar në fushë.

Por, pas largimit të tij, Danimarka gjeti shumë hapësira në fushë dhe shënoi tri gola për nëntë minuta duke nxjerrë një barazim shumë të rëndësishëm.

Blick e fajëson trajnerin serb për këtë dështim, duke argumentuar se pa Xhakën Zvicra humbi.

“Trajneri i ekipit kombëtar Petkovic na la pa fitore! Si kapiten dhe golashënues, Xhaka largohet, është 3:0. Pa Xhakën, Zvicra e fal fitoren”, shkroi Blick në raportin e lojës mes Zvicrës dhe Danimarkës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat