Befason mesfushori: Zidane nuk u largua kurrë nga Real Madridi

Futboll

Befason mesfushori: Zidane nuk u largua kurrë nga Real Madridi

Më: 29 mars 2019 Në ora: 09:31
Zinedine Zidane

Zinedine Zidane "kurrë nuk u largua" nga Real Madridi, sipas Casemiro, i cili e ngre lart figurën e trajnerit francez, pas riemërimit në stolin e bardhë. Zidane i la “Los Blancos” verën e kaluar, pasi i udhëhoqi ata drejt fitimit të tre Champions-ve radhazi, megjithatë u kthye këtë muaj. Dy pasues të tij, Lopetegui dhe Solari, nuk ia dolën t’i mbajnë kampionët europianë në fuqi në lartësinë e emrit. 

"Zidane është një ikonë e klubit, jo vetëm si lojtar, por edhe si një trajner, - tha mesfushori për “Marca”. - Ai ka treguar se është më shumë se një trajner. Për ne lojtarët, për ekipin, Zidane nuk u largua kurrë. Ai e la rrugën hapur, nisur nga ajo që bëri me ne, ndaj për këtë arsye u kthye. 

Gjithmonë kemi pasur një respekt të madh për të. Ai përçon dashuri dhe kthehet krejt normalisht, duke qenë i njëjti Zizou si gjithmonë. Mos harroni se po flasim për një nga çelësat e fitimit të tre titujve të Ligës së Kampionëve radhazi. Me siguri do të luftojmë për tituj me të edhe në vazhdimësi".

Francezi e fitoi ndeshjen e tij të parë, mbas rikthimit si trajner në “Santiago Bernabeu”, kundër Celta Vigos. Real Madridi është i treti në La Liga, 12 pikë mbas rivalëve katalanas, pas 28 ndeshjeve kampionat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat