Buffon drejt sezonit të 25-të në elitën europiane

Futboll

Buffon drejt sezonit të 25-të në elitën europiane

Më: 30 mars 2019 Në ora: 16:36
Buffon drejt sezonit të 25-të në elitën europiane

Gianluigi Buffon nuk pranon t’i vendosë vetes një “datë skadence”.... Ai nuk do të tërhiqet nga futbolli i luajtur, edhe pse është 41 vjeç. Gjasat janë që ta zgjasë karrierën e tij deri në vitin 2020. Siç është raportuar nga “La Gazzetta dello Sport", PSG i ka ofruar atij rinovimin edhe për sezonin e ardhshëm, duke bërë efektive klauzolën që ekzistonte në kontratën aktuale (1+1). 

Pra, portieri veteran italian pritet të mbetet në “Parce des Princes” deri në vitin 2020, me një pagë prej 8 milionë euro në sezon. Në qoftë se Buffon jep “ok” për të vijuar në klubin parizien, atëherë do të regjistrojë sezonin e tij të 25-të në elitën e futbollit kontinental. Duhet të mbajmë mend se portieri debutoi 17 vjeç në Serie A. Konkretisht, kjo ndodhi më 19 nëntor 1995, duke luajtur me fanellën e Parmës, në një sfidë kundër Milanit.

Pas 17 sezonesh duke mbrojtur portën e Juventusit, Buffon u transferua si lojtar i lirë te PSG verën e kaluar. Shpresonte të fitonte Champions-in me kampionët e Ligue 1, një “fiksim” i karrierës së tij plot trofe, por nuk ia doli as në sezonin e parë me parizienët. Nëse qëndron aty edhe sezonin e ardhshëm, shpresat mbeten ende gjallë për 41-vjeçarin, të cilit i mungon trofeu më i rëndësishëm për klubet në Europë. 

Buffon po jep leksione për jetëgjatësinë në sport. Statistikat e tij janë për historinë e futbollit. Të mos harrojmë se ai ka mbrojtur portën e Italisë në 177 ndeshje, duke qenë lojtari i katërt në këtë drejtim, në historinë e kombëtares axurre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat