Ish-ylli i Man Unitedit: Messi dhe Barcelona do të na ndëshkojnë

Futboll

Ish-ylli i Man Unitedit: Messi dhe Barcelona do të na ndëshkojnë

Më: 5 prill 2019 Në ora: 12:54
Leo Messi

“Djajtë e kuq” i kanë pësuar tri disfata në katër ndeshjet e fundit të tyre, dhe ndeshja e radhës do të jetë kundër Barcelonës, në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, beson se ish-klubi i tij rrezikon të ndëshkohet nga Lionel Messi dhe Barcelona nëse nuk e përmirëson formën e dobët që ka shfaqur gjatë kohës së fundit.

“Jam i shqetësuar nga forma e Manchester Unitedit dhe nëse ata vazhdojnë të bëjnë gabime siç kanë bërë gjatë kohës së fundit, atëherë, le ta pranojmë, do të ndëshkohen nga Barcelona”, është shprehur Berbatov.

“Ata po ia vështirësojnë vetes jetën për momentin dhe tani duket se do ta kenë të vështirë të zënë vend në top katërshe të Premierligës”.

Manchester Unitedi dhe Barcelona do të përballen fillimisht në Old Trafford, më 10 prill, e pastaj ndeshja kthyese do të zhvillohet në Camp Nou, më 16 prill.

Klubi katalonas është favorit për ta zënë një vend në gjysmëfinale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, pasi që djemtë e Ernesto Valverdes janë duke e kaluar një sezon më të mirë këtë vit. Ata janë në finale të Kupës së Mbretit dhe liderë të La Ligës. Për këtë arsye, e duan me ngulm edhe suksesin në Ligën e Kampionëve për ta kompletuar tripletën këtë sezon.

Në anën tjetër, Manchester Unitedi është ringjallur pas shkarkimit të Jose Mourinhos dhe emërimit të Ole Gunnar Solskjaer në pozitën e trajnerit. Megjithatë, së fundi “Djajtë e kuq” e humbën vendin e katër në tabelën e Premierligës pas disfatës ndaj Arsenalit dhe u eliminuan nga FA Cup pas disfatës ndaj Wolves.

Megjithatë, skuadra e Solskjaer e dëshmoi në fazën paraprake të Ligës së Kampionëve se asgjë nuk është e pamundur. Manchester Unitedi u kualifikua në çerekfinale duke e përmbysur rezultatin ndaj Paris Saint-Germainit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat