Karahoda: Nuk e harroj kurrë kur stërviteshim në fushën me dhe e me pluhur!

Futboll

Karahoda: Nuk e harroj kurrë kur stërviteshim në fushën me dhe e me pluhur!

Nga: Kemajl Goca Më: 9 prill 2019 Në ora: 10:03
Fatih Karahoda

Disa nga futbollistët, që atëkohë ishin si pionierë, ende kujtojnë periudhën e errët të kohës së para luftës dhe kur stërviteshin në fushat herë me pluhur e herë me baltë, pasi që stadiumet dhe objektet sportive ishin të uzurpuara nga okupatori serb. Sulmuesi i Lirisë, Fatih Karahoda, ende e ka në kujtesën e tij se kur ishte fëmijë se si ngjitej në murin e stadiumit të Lirisë, për të parë vetëm fushën e futbollit! Karahoda është prej futbollistëve më të mirë që ka Kosova dhe që ka fituar të gjitha trofetë e mundshme në vendin tonë!

Sulmuesi ka pasur periudha të mira qoftë me Lirinë, pastaj me Besën e Pejës dhe Feronikelin e Drenasit, tani luan për ekipin ku i bëri hapat e parë dhe u rrit e poq, në FC Liria. Synimet e tija janë që Liria ta sigurojë mbijetesën në shoqërinë e më të mirëve, për faktin se janë në një pozitë shumë të vështirë. Karahoda ka folur për rrugëtimin e tij si futbollist, ka fituar më shumë materialisht apo i ka dhënë më shumë futbollit në përgjithësi.

Si u dashurua me lojën e futbollit, cilat janë momentet më të mira e më të këqija në karrierën e tij si futbollist, po ashtu ka treguar se cili klub i ka mbetur borxh. Mbi të gjitha, është i lumtur që i dha futbollit dhe synon që të punësohet në një të ardhme të afërt, por tregon se edhe me çfarë zeje merret prindi i tij dhe çka i ka ndihmuar më shumë. 
“Bota sot”: Tash e 22 vite me futboll, që nga koha e okupimit, një rrugë e vështirë?
Fatih Karahoda:
Po, fillim ishte një hobi derisa isha fëmijë, tani për disa vite e kuptova që nuk mund të bëj pa futbollin. Me kujtohet koha kur u ngjitesha nëpër mure të stadiumit vetëm për të parë fushën kryesore, ku atëherë aty ushtronte vetëm një e ashtuquajtur “Metohija”, kurse ne stërvitjet i mbanim në stadiumin ndihmës me dhe e i mbushur me pluhur. Që atëherë e ëndërroja një ditë me shkel në at bari. Edhe falë luftës së shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përveç lirisë edhe ajo ëndërr na u bë realitet.
“Bota sot”: Cili ka qenë viti që jeni ngjitur në mur për ta parë stadiumin e Lirisë, që sot është i emërtuar ‘Përparim Thaçi’, atëkohë i okupuar nga regjimi serb?
Fatih Karahoda:
Nëse nuk gaboj ishte para luftës diku në vitin 1997-1998. 
“Bota sot”: Atëkohë keni qenë shumë i ri, pothuajse 10 vjeç, sa ishte vështirë të stërvitej në pluhur dhe në baltë?
Fatih Karahoda: Nuk na pengonte fare sepse nuk e kishim provuar ndonjë fushë më të mirë. Edhe ishim në një shkolle të futbollit ku futbollistët u pranoheshin vetëm me test, domethënë kush e kalonte testin kishte të drejtë të bëhet pjesë e shkollës.

“Bota sot”: Pas dëbimit të pushtuesit serb nga Kosova, pra me 12 qershor të vitit 1999, skuadrat tona kthehen në stadiumet e tyre, çfarë emocione kishit kur shkelet në stadiumin në Prizren?
Fatih Karahoda:
Ne ishim fëmije edhe nuk dinim shumë se çfarë është duke ndodhur, po kur hymë në stadium, asnjëri nuk mund të besonim se jemi ne dhe jemi në at fushë të stadiumit, ku për të gjithë ne na u duk e paarritshme. Vraponim pa u ndalur për gjatë gjithë fushës.
“Bota sot”: Kur jeni përfshirë për herë të parë në përbërjen e parë të Lirisë, pra në ekipin e parë?
Fatih Karahoda:
Në ndeshje zyrtare për herë të parë kam luajtur ende pa i mbushur 16 vjet, duke u bërë edhe golashënuesi më i ri në histori të klubit.

“Bota sot”: Si u dashurove me lojën e futbollit, kush iu shtyri?
Fatih Karahoda:
Ishte dëshira e prindit. Pothuajse në të gjitha ndeshjet ka qenë prezent në stadium dhe më ka mbështet në të gjitha mënyrat.

“Bota sot”: Një periudhë të gjatë me futboll, cili ka qenë momenti më i mirë, që nuk harrohet?
Fatih Karahoda:
Ka pas shumë momente ku mundem me veçuar disa prej tyre. Psh: si 16 - vjeçar e kemi futur Lirinë në Superligë, tani si 18-vjeçar jam shpallur kampion me Besën e Pejës po ashtu edhe më gëzon fakti që kam arritur të fitoi Kupën e Kosovës 3 herë me 3 ekipe të ndryshme, pra me Lirinë, Besën dhe Feronikelin.
“Bota sot”: Cili ka qenë momenti më i keq apo shokues për ju?
Fatih Karahoda:
Momentet më të këqija ishin lëndimet, sidomos këto në dy vitet e fundit.
“Bota sot”: Në vitin 2003 u aktivizuat për Lirinë dhe bëhesh shënuesi më i ri në histori të klubit, a mendoni se ka rritje të nivelit të lojës apo ka qenë më i mirë atëkohë?
Fatih Karahoda:
Mendoj që atëherë futbollistët e ri kanë pasur më shumë përkrahje. Sa i përket nivelit mund të them që u rrit, po kemi nevojë ende për përmirësime.

“Bota sot”: Përveç në Liri keni luajtur edhe për Besën dhe Feronikelin, ku përfituat materialisht me shumë?
Fatih Karahoda:
Isha pjesë e Besës për 4 vite, është e vërtetë që kam përfituar materialisht me përjashtim vitin e fundit që më kanë mbetur borxh me një shumë të madhe të hollave. Mendoj që kam dhënë më të mirën prej vetes për Besën duke shënuar shumë gola dhe duke fituar titullin dhe Kupën e Kosovës.
“Bota sot”: A më shumë përfituat apo i dhatë në përgjithësi futbollit?
Fatih Karahoda:
Kam dhënë më shumë. As 50% nuk kam fituar mundem me thënë.
“Bota sot”: A besoni se Liria do t'i shpëtojë më të keqes, do ta sigurojë ekzistencën dhe ku e sheh forcën e saj?
Fatih Karahoda:
Të gjithë po luftojmë për me shpëtuar edhe kemi besim të plotë që do ta arrijmë qëllimin.
“Bota sot”: Krahas si futbollist, me çka merret Karahoda në jetë private, a punoni?
Fatih Karahoda:
Deri para disa vite kam ndihmuar babain që me profesion është alumin punues, kurse tani kam vijuar studimet dhe tani pres të punësohem në arsim.
“Bota sot”: Çka studioni?
Fatih Karahoda:
Kam përfunduar edukatë fizike dhe sport në kolegjin AAB, tani jam në master. 
“Bota sot”: A jetohet nga futbolli?
Fatih Karahoda:
Mendoj që 30% mund të jetoj sepse tani ka ekipe që paguajnë mirë.
“Bota sot”: A mendoni se pjesëmarrja e klubeve tona në garat evropiane, ka rritur edhe rivalitetin e cilësinë në ligë?
Fatih Karahoda:
Garat evropiane janë një shtytje për ekipet sepse në fund mund të nxirren të gjithat harxhimet që kanë bërë. Edhe tri ekipe tani po luftojnë për titull, domethënë edhe rivaliteti është rritur.
“Bota sot”: Çfarë iu premtoni tifozëve “Arpagjikëve” dhe cila është porosia juaj?
Fatih Karahoda: Porosia ime është që të vijnë sa më shumë në stadium në përkrahje të Lirisë, kurse premtoj angazhim maksimal në emër të gjithë futbollistëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat