Kosova barazoi me Maqedoninë e Veriut

Futboll

Kosova barazoi me Maqedoninë e Veriut

Më: 9 prill 2019 Në ora: 10:11
Kosova barazoi me Maqedoninë e Veriut

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka barazuar në miqësoren e dytë kundër Maqedonisë së Veriut. Pas fitores së arritur në Gjakovë, tri ditë më parë, me rezultat 3:1, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, në praninë e një numri të konsiderueshëm të shikuesve, vashat tona kanë barazuar me rivalet nga Maqedonia e Veriut, me rezultat 3:3. Në pjesën e parë Kosova pati paraqitje shumë më të mirë; kishte kreativitet në lojë, e qarkulloi topin, thuri aksione të mira dhe realizoi një gol nëpërmjet Modesta Ukës, në minutën e 38-të. Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për vashat tona, të cilat shumë shpejt e realizuan edhe golin e dytë, kur realizoi Besiana Reçica, në minutën e 54-t. Megjithatë, epërsia prej dy golave sikur shkaktoi vetëkënaqësi në radhët e Kombëtares sonë, gjë e cila ua mundësoi maqedonaseve që të shënojnë dy gola të shpejtë për të barazuar rezultatin në 2:2. Fillimisht shënoi Simona Krstanovska në minutën e 69-të, kurse ende pa kaluar dy minuta të plotë shifrat i barazoi Aleksandra Ristovska nga penalltia. Ndërkohë, në minutën e 90-të mysafirët arritën ta përmbysin rezultatin, me golin e realizuar nga Pavlinka Nikolovska. Kur u mendua se mysafiret do t’i gëzohen fitores, menjëherë në aksionin vijues futbollistet tona realizuan një aksion të shpejtë, të cilin e finalizoi me sukses Erëleta Mehmeti, duke vendosur rezultatin përfundimtar 3:3. Gjithsesi, këto dy ndeshje miqësore ishin të mirëseardhura për të dyja kombëtaret në kuadër të përgatitjeve për kualifikimet e Kampionatit Evropian.

Afërditë Fazlija, selektore e Kosovës, tha: Në këtë ndeshje kemi hyrë paksa të hendikepuara, pasi nuk e kemi pasur në dispozicion portieren kryesore dhe si rrjedhojë në portë e kemi pasur një portiere të re pa eksperiencë të madhe. Por, duket se edhe pas rezultatit 2:0 erdhëm deri te nënçmimi i rivaleve, gjë e cila të hakmerret në lojë. Megjithatë, në përgjithësi ka qenë një paraqitje e mirë, me aksione të rrjedhshme, të cilat në të kaluarën i kanë munguar Kombëtares sonë.

Ndoshta, është dashur të shënojmë më shumë gola pas asaj epërsie të krijuar, por sidoqoftë pas golit të tretë të pësuar, vashat reaguan shumë shpejtë dhe vërtetë në raste të tilla është vështirë të reagohet aq shpejtë jo vetëm kur kemi të bëjmë me futbollin e femrave, por edhe tek meshkujt. Edhe pse ishte ndeshje miqësore, mendoj se lojtaret duhet të mësohen që në çdo ndeshje për tërë 90 minutat duhet ta japin maksimumin dhe të kenë seriozitet dhe disiplinë në lojë deri në fund.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat