“U shua një ëndërr”; Iniesta tregon mbrëmjen më të dhimbshme të karrierës

Futboll

“U shua një ëndërr”; Iniesta tregon mbrëmjen më të dhimbshme të karrierës

Më: 9 prill 2019 Në ora: 16:22
Andres Iniesta

Andres Iniesta e ka vijuar angazhimin e tij si futbollist në Japoni. Pas shkëlqimit me ekipin e zemrës, Barcelona, një nga mesfushorët më të mirë të historisë së futbollit po numëron "kilometrat" e fundit në fushat e blerta. Një karrierë plot suksese, që synohet të pasurohet edhe në pozicione të tjera, brenda këtij sporti, pasi “t’i varë këpucët në gozhdë”. Duke folur për “Radio MARCA”, ai u ndal në disa “stacione” pikante të rrugëtimit të tij të gjatë.

Barcelona pas meje - "Unë nuk pajtohem me ata që thonë se Barcelona e ka humbur shkëlqimin e saj. Ekipi i këtij sezoni po bën një paraqitje të përsosur, është dukshëm i diferencuar nga të tjerët për mënyrën e të bërit të gjërave. Barcelona, në të gjitha drejtimet, mbetet një model i madh në futboll".

La Liga apo Champions - "Çdo trofe i fituar mbart shumë merita. Ju duhet të jeni të lumtur me atë që fitoni. Për mua, kompeticioni më i rëndësishëm ka qenë La Liga, sepse ka të bëjë me rregullsinë e ndeshjeve dhe vazhdimësinë. Kampionati kërkon angazhim ditë për ditë. Megjithatë, për shumë vetë, ndoshta më e bukur është Liga e Kampionëve. Sigurisht, lojtarët e Real Madridit mund të mos e kenë problem që nuk kanë fituar shumë La Liga, si Barcelona, sepse justifikohen me aftësinë për të triumfuar në Ligën e Kampionëve. Gjithsekush mund të zgjedhë. Eshtë shumë e lehtë ta parashtrosh këtë pyetje, por unë kam konkurruar për të fituar çdo gjë, sepse gjithçka ka vlerë të jashtëzakonshme".

A mund të kishim më shumë Champions - "Kurrë në këto vite nuk kam ndier se ishim inferiorë ndaj çdo ekipi, prandaj mund të kishim bërë më mirë në Champions. Në fund të fundit, duhet të jesh krenar për atë që ke arritur".

Një kujtesë nga Champions-i, për ta fshirë - "Unë do të fshija mbrëmjen e Romës për gjithçka, edhe për momentin, sepse e dija se ishte ndeshja ime e fundit në Europë, sepse ishim duke bërë një sezon të përsosur, sepse rezultati i ndeshjes së parë ishte i favorshëm... Atë natë u shua një ëndërr, që e kishim ushqyer në nivel kolektiv dhe personal. Kjo ishte nata më e dhimbshme për mua".

“Messidependencia” - "Nëse ka të tillë, bekojeni! Eshtë një lojtar i vetëm, që e bën dallimin në çdo ndeshje për shumë vite. Në futboll, të gjithë duhet të jenë të rëndësishëm, sepse në fund të fundit gjëja kryesore është ekipi, klubi. Megjithatë, Barcelona ka një armë, që nuk e kanë të tjerët".

Favoritët e Champions-it - "Është e vështirë të bësh parashikime. Një ndeshje e keqe të kushton pothuajse gjithë sezonin në këtë kompeticion. Unë e shoh shumë të ashpër rivalitetin për Champions-in në këtë sezon. Natyrisht, në vijë të parë qëndrojnë Barcelona, Liverpool dhe Juventus, por nuk duhen nënvlerësuar edhe ekipe të tjerë si Porto".

Përsëritja e “tripletës” - "Që kur i jam bashkuar Barcelonës, ndjeva se mund të fitoja çdo gjë. Ia dola të fitoja edhe “tripletën”. A mund të përsëritet kjo këtë sezon? Me siguri, lojtarët e Barcelonës janë të trajnuar dhe të përgatitur për këtë. Besoj se kanë nxjerrë disa mësime edhe nga sezoni i kaluar".

E ardhmja e tij  - "Unë nuk mendoj përtej këtij viti, vetëm po përpiqem ta shijoj çdo moment në Japoni. Në të ardhmen do të doja të kthehesha në Barcelonë, nuk e di se në çfarë roli. Duhet të llogaris për çfarë ka nevojë klubi, jo ku dua unë. Barcelona ka qenë shtëpia ime dhe do të doja të vazhdojë ta jepja kontributin tim aty". 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat