Enrique: Messi nuk do ta arrijë asnjëherë nivelin e Maradonës

Futboll

Enrique: Messi nuk do ta arrijë asnjëherë nivelin e Maradonës

Më: 11 prill 2019 Në ora: 13:33
Maradona dhe Messi

Ish-mesfushori argjentinas, Hector Enrique, e ka dhënë vlerësimin e tij në debatin se a është Lionel Messi apo Diego Maradona lojtar më i mirë, duke pretenduar se ylli i Barcelonës nuk do ta arrijë kurrë nivelin e Maradonës.

Lionel Messi ka fituar çdo titull në botën e futbollit të klubeve. Megjithatë, kjo gjë nuk vlen edhe për karrierën e tij me ekipin kombëtar të Argjentinës, me të cilët ka dështuar ta fitojë ndonjë garë të madhe deri më tani. Skuadra e Argjentinës pësoi disfatë në Kupën e Botës 2018, ku u eliminuan nga Franca në fazën eliminatore.

Pesë-herë fituesi i Topit të Artë u kthye në ekipin e Argjentinës pas një pushimi të gjatë që e kishte marrë pas Kupës së Botës. Messi nuk arriti ta fitojë ndeshjen kundër Venezuelës, në të cilën u lëndua dhe u kthye në Barcelonë, në pamundësi për të luajtur kundër Marokut.

Por, Messi është duke e shijuar njërin prej sezoneve më të mira në karrierën e tij. Ai i ka shënuar 43 gola dhe i ka asistuar 21 të tjera në 41 ndeshje me Barcelonën. Ai e kryeson garën për Këpucën e Artë të Evropës. Këtë vit ai po shpreson t’i fitojë tre trofe me Barcelonën, por këto suksese nuk i ka arritur asnjëherë me Argjentinën.

Në anën tjetër, Diego Maradona, i cili po ashtu konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohëve, i ndihmoi Argjentinës ta fitonte titullin e Kupës së Botës në vitin 1986. Hector Henrique ishte pjesë e asaj skuadre, e cila gjithashtu e kishte fituar Copa American në vitin 1989.

“Fatkeqësisht, Messi e ka pasur një periudhë të vështirë me ekipin kombëtar. Shpresoj që në Kupën e Botës të radhës do ta ketë fatin që e kishim ne, por Messi nuk do ta arrijë asnjëherë nivelin e Maradonës”, ka thënë Enrique për “Ataque Futbolero”.

“Ajo që unë e dua është që Messi të luajë. Nëse ai nuk kalon mirë me skuadrës, është më mirë të mos vijë fare”.

Messi do të kthehet në ekipin kombëtar të Argjentinës për turneun Copa America këtë verë, kur do ta ketë mundësinë ta fitojë një trofe të rëndësishëm për vendin e vet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat