Premier League nis hetimin: A i përket Southampton shtetit kinez?

Futboll

Premier League nis hetimin: A i përket Southampton shtetit kinez?

Më: 12 prill 2019 Në ora: 07:09
Gao Jisheng

Premier League në Angli ka hapur një hetim për të zbuluar nëse shteti kinez ka përvetësuar pjesën më të madhe të aksioneve të Southampton-it, pasi pronari Gao Jisheng ka hequr dorë nga kompania që bleu fillimisht klubin.

Gao Jisheng, pronar pasurish të patundshme dhe themelues i Lander Sports me seli në Shenzhen, bleu 80% të Southamptonit në vitin 2017, për rreth 200 milionë sterlina.

Lander Sports tha muajin e shkuar se do ia shesë 29.9% të aksioneve  kompanisë të zotëruar nga shteti kinez "Chengdu Assets Supervision and Administration Commission", për 194 milionë dollarë.

Marrëveshja, që nuk është aprovuar ende, parashikon që familja e Gao Jisheng të mbajë 23.95% të aksioneve.

Premier League, organi që drejton nivelin më të lartë të futbollit në Angli, tashmë kërkon të shohë qartë në këtë histori, sepse në janar 2017 u tha që Southamptonin po e blinte Lander Sports, ndërsa kur marrëveshja përfundoi në gusht, familja e Gao Jisheng bleu 80% të aksioneve.

Southampton deklaroi për Financial Times këtë javë se klubi zotërohet nga një kompani britanike, që gjithashtu quhet Lander Sports, është themeluar nga familja Gao dhe nuk ka lidhje me kompaninë tjetër me seli në Kinë, që ka të njëjtin emër, Lander Sports. Një çorbë e vërtetë, sepse tashmë nuk dihet kush e zotëron realisht klubin anglez, nga erdhën fondet dhe kush po hedh para te Southamptoni.

Duhet kujtuar se Southampton është qytet portual dhe në Angli po shtohen dyshimet se shteti kinez po investon aty, si pjesë e një strategjie globale për të shtrirë ndikimin e saj anembanë botës, me anë të tregtisë.

14 nga 20 klubet e Premier League zotërohen ose kontrollohen nga investitorë të huaj, ndërsa Manchester City është i lidhur me shtetin e Katarit. Kjo ka bërë që Federata Angleze dhe Premier League të ndryshojnë qëndrim dhe të marrin masa më të rrepta prej vitit 2017, për të kontrolluar me imtësi çdo ndryshim pronësie në klubet angleze, për të shmangur futjen e bizneseve të dyshimta dhe pa transparencë në burimet e të ardhurave të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat