Mourinho e komenton ndërhyrjen e Smallingut ndaj Messit

Futboll

Mourinho e komenton ndërhyrjen e Smallingut ndaj Messit

Më: 12 prill 2019 Në ora: 13:32
Leo Messi

Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, insistoi se Chris Smallingu nuk e kishte qëllim ta lëndonte Lionel Messin gjatë përballjes mes këtyre të dyve të mërkurën, në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.

Fitorja minimale 1:0 në Old Trafford është rezultat i mirë për Barcelonën, mirëpo Lionel Messi pësoi në një duel me mbrojtësin e Manchester Unitedit, Chris Smallingun. Argjentinasi pati vështirësi në frymëmarrje dhe me shikimin pas kësaj përplasjeje.

Qendërmbrojtësi i “Djajve të kuq”, Chris Smalling, ishte treguar optimist para ndeshjes për përballjen me pesë-herë fituesin e Topit të Artë, Lionel Messi, duke thënë: “Ma sillni atë këtu”.

Gjatë ndeshjes, e cila përfundoi me rezultat 1:0 për katalonasit, Smallingu e dëshmoi se me të vërtetë e kishte ndërmend ta ndalte argjentinasin, në çfarëdo mënyrë. Ai e gjakosi Messin në pjesën e parë, por gjyqtari Gianluca Rocchi nuk i dha goditje të lirë Barcelonës për këtë ndërhyrje pasi që lojtarët po luftonin për top.

“Nuk e di nëse Manchester Unitedi e bëri këtë [ta mbante të heshtur Messin] apo Messi vendosi vetë të jetë më i qetë. Mendoj se ishte pak nga të dyja. Unitedi ishte agresiv në mënyrë pozitive”, është shprehur Mourinho.

“Situata mes Smallingut dhe Messit nuk ishte asgjë. Gjëra të tilla ndodhin. Smallingu ka krahë të gjatë, nuk mendoj që e bëri qëllimisht”.

Përveç që në fushë ishte e qartë se po i rridhte gjaku nga fytyra, Messi e pësoi një blanë, e cila po i shqetëson katalonasit.  Argjentinasi mori trajtim mjekësor në fushë menjëherë e pastaj ishte në gjendje për ta vazhduar lojën.

Sipas të përditshmes spanjolle, AS, ylli i Barcelonës nuk mbeti me hundë të thyer, mirëpo pati vështirësi me frymëmarrjen për shkak të lëndimit të ashtit të hundës. Si pasojë, ai u detyrua të merrte frymë përmes gojës.

Madje, lajmet e këqija nuk përfunduan këtu për Messin. AS raporton se lëndimi në vetull bëri që ai të mos shohë mjaftueshëm mirë me syrin e majtë.

Barcelona e mori këtë rezultat të mirë në “Old Trafford” përkundër paraqitjes jobindëse, pasi që “Djajtë e kuq” nuk u treguan aspak të saktë në fazën e sulmit. Ndeshja kthyese do të zhvillohet më 16 prill në Camp Nou. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat