Guardiola nuk pajtohet me atë që ka thënë Gundogan

Futboll

Guardiola nuk pajtohet me atë që ka thënë Gundogan

Më: 12 prill 2019 Në ora: 22:20
Pep Guardiola dhe Gundogan

Marrëdhënia e Manchester Cityt me Champions Leaguen vazhdon të jetë e komplikuar. Megjithatë, trajneri Pep Guardiola është i bindur se skuadra e tij do ta përmbysë humbjen 1-0 të pësuar kundër Tottenhamit në çerekfinalen e parë.

Gjithsesi, rezultati i marrë në fushën e “Spurs” ka shtyrë mesfushorin e “Qytetarëve”, Ilkay Gundogan, që të kritikojë mentalitetin e ekipit në ndeshjet e rëndësishme evropiane.

Në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Crystal Palace, Guardiola ka folur për Championsin dhe deklaratat e mesfushorit. “Nuk jam dakord, absolutisht jo. Ka ndeshje në të cilat pësojmë gol dhe më pas zhdukemi, por në këtë rast kjo nuk ka ndodhur. Kemi pasur gjithçka nën kontroll në pjesën e dytë dhe nuk i kemi lënë shumë hapësira kundërshtarit. Gjithashtu, kemi krijuar shumë raste”, ka thënë Guardiola.

Trajneri ka vazhduar më tej, duke përmendur edhe Schalken. “Kemi luajtur më mirë kundër Tottenhamit se kundër Schalkes. Sane ka shënuar nga 50 metra në Gjermani, ndërsa kundër Spurs kemi gabuar një penallti, kjo është diferenca”, është shprehur trajneri katalon.

“Kundër Schalkes kemi luajtur 10 kundër 11 dhe po humbnim 2-1, por kemi reaguar shumë mirë në të dy situatat. Kundër Spurs jemi mbrojtur në goditjet standarde, që janë një pikë e fortë e tyre. Pas golit të pësuar nuk ka ndodhur asgjë për rreth 10 minuta. Nuk jam dakord me Gundogan”.

Trajneri e ka mbyllur konferencën për shtyp me një mesazh për lojtarin e tij, kontrata e të cilit skadon në vitin 2020. “Ilkay mund të thotë atë që dëshiron. Më pëlqen kur lojtarët e mi thonë atë që mendojnë”.

A do të pendohet gjermani për këtë në fund të sezonit?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat