Valverde beson se Barcelona nuk do ta ketë aspak të lehtë nesër në “Camp Nou” kundër Unitedit të Solskjaerit.
Një javë pas fitores 0-1 në “Old Trafford”, Barcelona do të përballet sërish me Manchester Unitedin, kësaj radhe në “Camp Nou” – ku edhe do të mësohet gjysmëfinalisti i parë i Champiuons League.
Pavarësisht se janë në një situatë të mirë, Ernesto Valverde ka kërkuar nga lojtarët që të jenë të kujdesshëm, duke ua kujtuar atyre epërsinë prej 0-2 që shkriu Unitedi në Francë ndaj PSG-së dhe ecurinë pozitive në ndeshjet si mysafirë.
“Jemi të vetëdijshëm për potencialin e Manchester United, dhe duhet t’i mbyllim hapësirat që mos t’iu lejojmë atyre shumë opsione, janë ekip i fortë”, tha Valverde.
“Duhet të jemi të kujdesshëm, në katër ndeshjet e fundit si mysafirë, Unitedi i ka fituar tri”.
“Ata gjithashtu kanë fituar dy ndeshje si mysafirë në pesë minutat e fundit dhe për këtë duhet të jemi të kujdesshëm, duhet të bëjmë lojën tonë”.