Messi-Salah, gjysmëfinale bombë

Futboll

Messi-Salah, gjysmëfinale bombë

Më: 18 prill 2019 Në ora: 11:23
Ilustrim

“Fotografia” e gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve është e plotë. Pas kualifikimit të Ajax dhe Barcelona të martën, Liverpool eliminoi Porto dhe Tottenham likujdoi Manchester City në një ndeshje të pabesueshme, të mërkurën. Po si e shohin mediat kryesore sportive europiane atë që ndodhi mbrëmë? 

“Plotësisht e çmendur", shkruhet nga “L'Equipe”, me foton e gëzimit të Lloris dhe Llorente (autor i golit vendimtar) në faqen e parë. Shtypi spanjoll lartëson lojën e Manchester City, por ndalet te paaftësia për të arritur në gjysmëfinalet e Champions-it. 

"Pochettino eliminon Guardiolën, një gol i shënuar nga Llorente dërgon Tottenhamin në gjysmëfinale", - shkruan “AS” në faqen e parë. Titulli i spanjolles tjetër, “Marca”, që shigjeton trajnerin e Manchester City, është shumë më pak dashamirës: "Guardiola, sërish jashtë". 

Kjo shoqërohet me foton e trajnerit katalanas, ndërsa i gëzohet golit të anuluar të Sterling në kohën shtesë. “Sport” i kushtoni vëmendje VAR-it, që ishte përcaktues në sfidën dramatike të “Etihad”: "VAR-i dërgon City në shtëpi, mbas një loje të paharrueshme".

Përveç “dramës” që prodhoi çerekfinalja e kthimit, Manchester City-Tottenham, Liverpool siguroi kalimin për në raundin e ardhshëm falë suksesit edhe në fushën e Portos (pas fitores së parë në “Anfield”). Pak komente mbi atë që ndodhi mbrëmë në faqet e shtypit europian. Vëmendja, në të vërtetë, tashmë është kthyer në gjysmëfinale, ku do të përballen Barcelona dhe Liverpool. 

Një finale e parakohshme, por vetëm njëra skuadër do të ketë mundësinë të shkojë në finalen “Wanda Metropolitano”, në Madrid. Në faqen e parë të katalanases “Sport”, për shembull, është Messi dhe Salah, me mbishkrimin "MegaSemis", që do të thotë “gjysmëfinale e madhe”. 

Praktikisht, identike është faqja e parë e “Mundo Deportivo”, e karakterizuar nga sfida ndërmjet Messit dhe Salah në gjysmëfinale. Dy lojtarët në foto dhe titulli "gjysmëfinale bombë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat