U sulmua me thikë kur drejtonte Vllazninë

Futboll

U sulmua me thikë kur drejtonte Vllazninë

Më: 18 prill 2019 Në ora: 11:23
U sulmua me thikë kur drejtonte Vllazninë

Ish-trajneri i Vllaznisë, aktualisht i Kukësit, Ernest Gjoka, është paraqitur përpara Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër si dëshmitar për ngjarjen e shkurtit të 2018-ës kur ai u sulmua me thikë. Disa ditë më vonë policia arrestoi 2 shtetas, Nehat Fojleta dhe Sehar Xhenje, të cilët akuzon për veprën penale “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim. Trajneri ka folur në gjykatë duke sqaruar detajet e ngjarjes.

““Sapo dola nga stërvitja dhe një djalë me kasketë në kokë m’u afrua dhe nxori një thikë dhe më sulmoi. U ndesha me të dhe ai iku me vrap. Nuk arrita ta evidentoj. Ai më goditi në kokë fillimisht nga prapa shpine. Pastaj e godita edhe unë për t’u mbrojtur. Ai më doli përballë më pas, nxori thikën për të më goditur. Unë mora një biçikletë që ishte afër dhe u mundova ta gjuaj. Nga frika rashë në tokë  dhe i shtrirë e gjuajta me shkelm dhe ai iku. S’kam patur asnjë debat me atë djalin më përpara. U përplasëm të dy dhe ai m’u sul me thikë. Kur unë dhe ai u rrëzuam në tokë, kapiteni Gilman Lika la çantën dhe u afrua por ai iku me vrap. Konflikte nuk kam patur por kur isha tek Vllaznia kam patur problem për futje futbollisti në lojë. Kam bërë edhe përpara një denoncim dhe u zgjidh problemi sepse policia thirri prindërit e atij. Agresorin nuk e kam njohur më përpara”.

Gjoka gjithashtu u përgjigjur edhe pyetjve të avokatëve mbrojtës, ndërkohë që të dyshuarit nuk ndodheshin në sallën e gjyqit.

“Nuk ishte goditje për të marrë mjekim. Nuk di ta përcaktoj përmasën e thikës sepse ishte moment tensioni dhe frike. Isha në kontakt me të dhe rrëshqita edhe nga frika. Thikën më duket se e nxori nga trupi. Unë s’kam parë askend tjetër përveç atij që më goditi. S’më tha asnjë fjalë. Ishte gjithçka shumë e shpejtë”.

Më tej trajneri shtoi se i ka falur djemtë, dukë theksuar se nuk ka asnjë interes për këtë çështje.

“Më vjen keq dhe unë i kam falur edhe për familjet e tyre. Unë si Ernest s’kam asnjë interes në këtë çështje. S’me intereson fare sepse më është kthyer Shkodra në një stres shumë të lartë. Kur filloj e mendoj për çfarë ka ndodhur sulmi ndaj meje dhe nuk gjej shkak mua më vjen shumë keq. Unë dua ta mbyll një herë e përgjithmonë”.

Autori i dyshuar Nehat Fjleta ka pranuar se është konfliktuar me Gjokën , por jo se e ka qëlluar me thikë. Sipas deklarimeve ai i është drejtuar Gjokës me fjalët ‘po na fundos Vllazninë” dhe më pas trajenri e ka ofenduar. Më pas ai e ka goditur por jo se ka tentuar ta qëllo me thikë. Marrë nga “Balkanweb”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat