Rivaldo tregon sherrin me Van Gaal te Barça: Mourinho, më i mirë se ai!

Futboll

Rivaldo tregon sherrin me Van Gaal te Barça: Mourinho, më i mirë se ai!

Më: 19 prill 2019 Në ora: 09:08
Rivaldo

Një nga ikonat e futbollit brazilian, Rivaldo, ka dhënë një intervistë për “AS”, ku ka folur për disa çështje. 

Për cilën gjysmëfinale të Champions-it do të vini bast?
Për fituesin e gjysmëfinales Barcelona-Liverpool. Mendoj se Barça është paksa favorite. 

Ju arritët te Barcelona pas largimit të Ronaldos, ndërsa Coutinho pas largimit të Neymar. A shihni ndonjë ngjashmëri?
Është e vështirë të heqësh të tilla paralele. Unë kam mbërritur në “Camp Nou” pas largimit të “Fenómenit” dhe kam pasur presionin për të bërë ndryshimin, por Ronaldo është Ronaldo. Unë kam qenë ndryshe. Edhe Coutinho duhet të supozojë se nuk është Neymar.

Sa ju ka ndihmuar fakti se mbërritët te Barça nga Deportivo dhe e njihni La Liga-n?
Shumë, sepse La Liga është shumë më e lehtë se Liga e Kampionëve. Coutinho vjen nga Premier League, e cila është e komplikuar dhe më e vështirë. Coutinho duhet të shkëlqejë më shumë, sepse në Spanjë ka më shumë hapësira. E shoh atë të trembur përpara Messit dhe Suarezit. Coutinho është lojtar i madh për mua dhe duhet të qëndrojë, të insistojë që të ketë sukses, sepse nuk mund të largohet si dështim nga Barça.

Champions-i ishte trofeu juaj i munguar me Barçën...
Më vjen keq, që nuk munda ta fitoj këtë trofe me katalanasit. Ne shkuam në gjysmëfinale kundër Real Madridit dhe unë u lëndova, nuk luajta asnjërën nga dy ndeshjet. Megjithatë, mendoj se kam bërë shumë gjëra të mira te Barça.

Cili ka qenë viti juaj më i mirë si futbollist?
Kam luajtur për pesë vite te Barça dhe të gjithë ishin të mire. Ju kujtoj se në vitin 1999 kam fituar “Topin e Artë”…

Diçka nga eksperienca juaj me Van Gaal?
Me të luajta në krahun e majtë për tri vite. U rebelova me të në një ndeshje kundër Atlético Madrid dhe Van Gaal u zemërua. Pastaj fola me Mourinhon, i cili ishte asistenti i tij për të na i bërë gjërat të qarta. 

Van Gaal reagoi shumë keq, madje shpërtheu edhe në dhomën e konferencave për shtyp ndaj jush...
 Ishte një kohë e vështirë, me shumë polemika.

Po me Mourinho, a u sqaruat?
 Po, shumë pozitivisht, isha i afërt me të. Mourinho ishte një njeri shumë i mirë. Ishte më i mirë se Van Gaal, jam kuptuar më shumë me të. 

A keni folur me ndonjërin prej tyre përsëri?
Me Mourinhon, po, me Van Gaal, jo. Sidoqoftë, nuk kam asgjë kundër tij. Ai është një trajner i madh, por ka pasur një mënyrë ndryshe të të parit të futbollit nga unë. 

A është e komplikuar për një brazilian që të kuptojë një holandez?
 Nëse është Van Gaal... (qesh), ato janë gjëra që ndodhin. Përplasja e kulturave është e rëndësishme në futboll. Trajneri duhet të pranojë se ai nuk di gjithçka. Për shembull, ai që di se çfarë duhet të bëjë në fushë është Messi, jo trajneri. Unë e kuptoj se duhet t'i bindesh ndonjëherë, por gjëja themelore është të jesh i natyrshëm.

Në kombëtaren e Brazilit kishte më tepër liri…
Po, shumë më tepër. Feliapo Scolari na dha liri, sidomos mua, Ronaldinhos dhe Ronaldos (Fenomenit). 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat