Shkëndija do fitore në Strumicë

Futboll

Shkëndija do fitore në Strumicë

Më: 24 prill 2019 Në ora: 10:36
Shkëndija do fitore në Strumicë

Udhëtimi i Shkëndijës drejt mbrojtjes së titullit të kampionit vazhdon të mërkurën përmes Strumicës ku kuqezinjtë nga ora 16:00 përballen me Belasicën.

Afrimi i fundit të kampionatit sjell emocione shtesë, pasi që në mënyrë paralele afrohet edhe momenti i ‘vendimeve’ për renditjen përfundimtare në bazë të punës që kanë bërë skuadrat dhe numrit të pikëve të grumbulluara. Rjedhimisht, kjo fazë sjell përballje interesante kur skuadrat kanë qëllim të njejtë-fitoren, ndërsa garojnë për objektiva krejtësisht të kundërta. Shkëndija të mërkurën në ‘Mladost’ të Strumicës kërkon tre pikët e rradhës për të shkurtuar rrugën e sigurimit edhe matematikisht të titullit të kampionit, ndërsa Belasica vendase ‘tmerësisht’ ka nevojë për pikët që gjithsesi sërish nuk i garantojnë egzistencën në rangun elitar të futbollit në vend.

Kjo situatë garanton përballje interesante dhe detyrë të vështirë për kuqezinjtë pavarësisht se si liderë bindës do të ndeshen me ekip që mban vendin e parafundit në renditje. Për këtë qëllim krahas punës tekniko-taktike, stafi teknik ka potencuar para skuadrës specifikat që sjell ky duel dhe kuqezinjtë duken të gatshëm për të sjell një tjetër performansë pozitive në Strumicë, ku tre javë më parë mundën 1:0 Akademia Pandevin.

Përjashtuar portierin Kostadin Zahov dhe Besart Ibraimin që mungon më gjatë, trajneri Osmani ka në dispozicion të gjithë futbollistët tjerë. Pasi mungoi të shtunën në fitoren 4:2 me Makedonija Gj.P. shkaku i pezullimit me pesë kartona të verdhë në skuadër kthehet edhe sulmuesi i krahut Valmir Nafiu që rrit konkurencën dhe opsionet për stafin teknik.

Me brenga serioze për mbijetesë, Belasica jep shenja ‘jete’ në fazën më kritike të kampionatit dhe në pesë ndeshjet e fundit kampionale kanë pësuar vetëm një disfatë, teksa krahas dy barazimeve spikasin dy fitore me vlera përballë Shkupit e Akademia Pandevit. Problem në këtë interval janë dështimet me rivalët direkt për mbijetesë, pasi në mes të dy fitoreve të lartëpërmendura gjejnë vend humbja si vendas me Sileksin dhe barazimi me Pobedën që tashmë duket e dalë nga kategoria.
Në tre takimet paraprake të këtij sezoni ndërmjet veti Shkëndija ka efekt maksimal prej tre fitoreve dhe me një goldiferencë bindëse 9:1 (kuqezinjtë fitonin 4:1 dhe 3:0 në Tetovë, ndërsa takimi në Strumicë përfundoi me rezultat 0:2).

Përballja Belasica-Shkëndija luhet të mërkurën në stadiumin ‘Mladost’ të Strumicës me fillim në orën 16:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat